Dita Ndërkombëtare e Gruas ka rrënjë në lëvizjen e grave punëtore dhe në betejën e tyre për të drejta dhe dinjitet në vendin e punës.
Në vitin 1908, rreth 15,000 gra marshuan në rrugët e Nju Jorkut duke kërkuar orar më të shkurtër pune, paga më të drejta dhe të drejtën e votës.
Një vit më vonë, kjo ditë u shpall si Ditë Ndërkombëtare e Gruas nga Partia Socialiste e Amerikës.
I
deja për ta shndërruar këtë ditë në një ditë ndërkombëtare u propozua nga Clara Zetkin në Konferencën Ndërkombëtare të Grave Punëtore në Kopenhagë, ku morën pjesë rreth 100 gra nga 17 vende të ndryshme.
Propozimi u miratua unanimisht dhe për herë të parë u festua në vitin 1911 në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër, për t’u përhapur më pas në të gjithë botën.
Sot, 8 Marsi është një ditë reflektimi, mirënjohjeje dhe angazhimi për të vazhduar përpjekjet për barazi, drejtësi dhe dinjitet për të gjitha gratë.
Gratë tona punëtore janë një forcë e jashtëzakonshme për shoqërinë. Me përkushtimin dhe sakrificën e tyre, ato përballojnë çdo vështirësi, mbështesin familjet e tyre dhe kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Ato punojnë pa u lodhur, me shpresë dhe vendosmëri, duke treguar se forca e tyre është një nga shtyllat më të rëndësishme të shoqërisë sonë.
Ne, si sindikalistë, e dimë se në çdo arritje, në çdo përpjekje dhe në çdo sukses qëndron puna, durimi dhe besimi i një gruaje.
Guximi, vendosmëria dhe vetëmohimi i tyre përballë sfidave të jetës dhe punës janë një frymëzim për të gjithë ne. Gratë janë thelbi i unitetit dhe solidaritetit të shoqërisë sonë dhe luajnë një rol të pazëvendësueshëm në edukimin e brezave të rinj.
Për Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), barazia gjinore është një prioritet strategjik.
KSSH angazhohet për respektimin e të drejtave të grave në vendin e punës dhe për zbatimin e standardeve europiane dhe ndërkombëtare, përfshirë Konventën C190 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës për eliminimin e dhunës dhe ngacmimit në botën e punës.
Në kontratat kolektive të punës që ne negociojmë, përfshihen kapituj të veçantë që trajtojnë kushtet e punës, shëndetin dhe sigurinë, higjienën dhe mbrojtjen sociale të grave punëtore, si dhe garantimin e shpërblimit të drejtë dhe të barabartë. Po ashtu, KSSH i kushton rëndësi të veçantë edukimit, trajnimit sindikal dhe zhvillimit profesional të grave, duke i fuqizuar ato për të qenë pjesë aktive në vendimmarrje dhe në jetën sindikale.
Që nga fillimi i kësaj përpjekjeje e deri më sot, ne vazhdojmë të punojmë për një të ardhme më të drejtë dhe më të barabartë: për të ngritur zërin e grave që i japin vlerë botës së punës, për të bërë më të dukshëm kontributin e tyre dhe për të siguruar barazi të vërtetë mundësish për të gjithë.
KSSH u uron të gjitha grave – nënave, motrave dhe vajzave tona punëtore – një 8 Mars të gëzuar, me respekt dhe mirënjohje për kontributin e tyre të çmuar në familje, në punë dhe në shoqëri.!
Gratë janë forca, shpresa dhe e ardhmja e vendit tonë.!


