INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Njoftim i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë mbi situatën në Minierën e Bakrit në Spaç.

Edhe dje, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të sindikatës, nuk është shënuar asnjë hap pozitiv në drejtim të zgjidhjes së konfliktit kolektiv midis minatorëve dhe punëdhënësit në Minierën e Bakrit në Spaç.

Minatorët, të bashkuar dhe të vendosur, kanë njoftuar nisjen e grevës së përgjithshme ditën e hënë, më 13 tetor, nëse situata nuk ndryshon dhe kërkesat e tyre të drejta nuk merren në konsideratë.

Sindikata ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore, organizative dhe teknike për të garantuar zhvillimin normal të grevës, ruajtjen e objektit të minierës dhe shmangien e çdo dëmtimi të proceseve teknike apo teknologjike.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, Komisioni i Grevës dhe Këshilli Sindikal kanë njoftuar zyrtarisht:

-Punëdhënësin, për pezullimin e plotë të aktivitetit ekonomik gjatë periudhës së grevës dhe ndalimin e çdo tentative për zëvendësim të punonjësve me nënkontraktorë apo persona të tretë;
-Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, si autoritet përgjegjës për marrëdhëniet e punës;
-Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, për monitorimin e respektimit të të drejtave të punëtorëve;
-Komisariatin e Policisë dhe Entin Rajonal të Shëndetësisë, për garantimin e zhvillimit të qetë, të sigurt dhe ligjor të grevës.
-Pushtetin vendor dhe AKSEM.

Në njoftim janë përcaktuar qartë kërkesat kryesore të minatorëve, të cilat kanë të bëjnë me:

-Normalizimin e partneritetit dhe dialogut social në ndërmarrje;
-Përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe funksionimin efektiv të Këshillit të Sigurisë;
-Zbatimin e kohës ligjore të punës  8 orë në ditë, 5 ditë në javë;
-Përmirësimin e normimit të punës dhe rritjen e pagave në nivele të pranueshme e dinjitoze;
-Respektimin e detyrimeve ligjore për kontributet suplementare të pensioneve për profesionet e vështira;
-Nënshkrimin e kontratës kolektive të punës, si instrument themelor i marrëdhënieve të punës të ndershme e të qëndrueshme.

Me datë 10 tetor, në orën 11:00, Zyra Rajonale e Ndërmjetësimit dhe Pajtimit do të shqyrtojë këtë çështje.

Share