Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) ndjek me shqetësim zhvillimet në Minierën e Bakrit në Spaç, ku sot minatorët kanë ndërprerë punën në shenjë proteste ndaj kompanisë turke “Tete Albania Tunnel & Minning ” Sh.a.
KSSH shpreh mbështetjen e plotë dhe solidaritetin e saj me punëtorët e minierës, të cilët kërkojnë me të drejtë:
-Kushte dhe siguri më të mira në punë,
-Paga të drejta dhe dinjitet në vendin e punës,
-Dialog të vërtetë social dhe jo presion psikologjik apo dhunë ndaj punëtorëve,
-Ndalimin e largimeve nga puna për shkak të angazhimit sindikal,
-Dhe nënshkrimin e menjëhershëm të kontratës kolektive të punës, që garanton të drejtat dhe mbrojtjen ligjore të punëtorëve.
Minatorët e Spaçit po dëshmojnë qartësisht se nuk kërkojnë privilegje, por respektimin e të drejtave bazë të punës, siç përcaktohen në ligjet shqiptare, konventat ndërkombëtare të ILO-s, dhe standardet evropiane të punës.
KSSH i bën thirrje kompanisë “Tete Albania Tunnel & Minning ” Sh.a. dhe institucioneve shtetërore përgjegjëse që të hapin menjëherë dialog social të vërtetë me përfaqësuesit e punëtorëve dhe të nënshkruajnë kontratën kolektive të punës, si garanci për një marrëdhënie të drejtë e të qëndrueshme pune.
KSSH mbetet e vendosur të mbrojë çdo punëtor dhe të kërkojë zbatimin e parimit themelor:
Asnjë punëtor nuk duhet ndëshkuar për faktin se kërkon të drejtat e veta!
President i KSSH-së,
Kol Nikollaj


