Shkolla e Grave PERC mbi “Ndërtimin e një ekonomie të fortë kujdesi përmes investimeve të mjaftueshme publike në shërbimet e kujdesit dhe miratimit të politikave miqësore ndaj familjes, me pjesëmarrje efektive të grave në fuqinë punëtore, duke promovuar një ndarje më të barabartë të përgjegjësive të papaguara të kujdesit”.
Loreta Kodra, Koordinatorja e Rrjetit të Grave të KSSH-së, mori pjesë në takimin vjetor të Koordinatoreve të Rrjeteve të Grave të Konfederatave të Këshillit Rajonal Pan-Europian (PERC), ku theksi kryesor ishte se punët në sektorin e kujdesit duhet të jenë të denja, duke ofruar kushte të sigurta pune dhe shpërblim të përshtatshëm, duke përfshirë pagë të barabartë për punë me vlerë të barabartë dhe mbrojtje sociale. Shërbimet cilësore të shëndetit publik, kujdesit dhe arsimit duhet të jenë të disponueshme dhe të arritshme në ndërtimin e shoqërive më të drejta, më gjithëpërfshirëse dhe dinjitoze.
Në këtë takim u prezantuan:
-Nga ILO – Rezoluta e re, portali global i politikave dhe simuluesi i investimeve që ndihmon sindikatat dhe qeveritë të vlerësojnë ndikimin e investimeve në sektorin e kujdesit.
-Raporti i EIGE (Instituti Europian për Barazi Gjinore) mbi këtë çështje.
-Iniciativa ndërkombëtare:
• Aleanca Globale për Kujdesin (OKB).
• Deklarata e G20 dhe G7 për investime në vende pune cilësore në sektorin e kujdesit.
• Strategjia Evropiane e Kujdesit
️-Praktika kombëtare nga përfaqësueset e Konfederatave.
-U zhvilluan grupe pune ku si Përfundime dhe Rekomandime u theksuan se:
• Barazia gjinore dhe ekonomia e kujdesit janë të pandashme. Kërkojnë politika të integruara dhe të qëndrueshme.
• Nevojitet forcimi i kuadrit ligjor kombëtar e ndërkombëtar, si dhe rritja e investimeve publike dhe private në sektorin e kujdesit.
• Sindikatat duhet të luajnë një rol aktiv në:
1. Mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të kujdesit.
2. Lobimin për politika miqësore për familjen.
3. Negocimin kolektiv që garanton kushte të barabarta për burrat dhe gratë me përgjegjësi familjare.
4. Kujdesi duhet parë jo si shpenzim, por si investim strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen ekonomike.


