INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Deklaratë e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë për humbjen tragjike të jetës së punonjësit të pastrimit, Z.Bedri Dedej.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë shpreh hidhërim të thellë për humbjen tragjike të jetës së punonjësit të pastrimit, z. Bedri Dedej, gjatë kryerjes së detyrës së tij në aksin rrugor Peqin–Elbasan. Ngushëllimet më të sinqerta shkojnë për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij, me të cilët ndajmë dhimbjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Ky rast nuk është thjesht një aksident rrugor, por pasqyron kushtet e vështira në të cilat punonjësit e pastrimit ushtrojnë detyrën e tyre çdo ditë. Ata punojnë në rrethana të rrezikshme, shpesh pa mjetet e duhura mbrojtëse, pa veshmbathje të përshtatshme dhe me paga shumë të ulëta që nuk justifikojnë sakrificat dhe rrezikun e përditshëm për jetën e tyre.

Mungesa e organizimit dhe menaxhimit të duhur nga pushteti vendor, së bashku me problemet e sigurisë në punë, e bëjnë këtë sektor ndër më të rrezikshmit. Njëkohësisht, trajtimi jo i duhur i mbetjeve, mungesa e kapsulimit, përpunimit dhe incenerimit sipas standardeve europiane, përveç dëmit mjedisor, rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse tek punonjësit dhe komuniteti.

KSSH i bën thirrje autoriteteve që kjo ngjarje të shërbejë si alarm për të ndërmarrë masa urgjente, duke përmirësuar kushtet e punës, rritur pagat, garantuar sigurinë dhe respektuar dinjitetin e punonjësve të pastrimit. Ata janë punëtorët që çdo ditë mbajnë qytetet tona të pastra dhe shëndetin publik të mbrojtur, prandaj meritojnë mbrojtje, respekt dhe trajtim të drejtë.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH)

Share