Mbi ngjarjen tragjike në minierën e Bulqizës ( Zona D), më 24 shtator 2025.
KSSH shpreh dhimbjen dhe solidaritetin më të thellë për humbjen e jetës së minatorit Kujtim Dangri, vetëm 38 vjeç, baba i fëmijëve të mitur dhe mbështetës i familjes së tij. Një jetë e re u shua sot në galeritë e Bulqizës, në një tjetër ngjarje tragjike që trondit opinionin publik dhe rëndon plagën e vjetër të pasigurisë në punë në sektorin minerar.
KSSH ngre shqetësimin e saj të fortë se edhe në këtë rast institucionet shtetërore zgjodhën të japin një njoftim të cunguar e të thatë, ku u fsheh identiteti i subjektit minerar dhe nuk u dhanë detaje mbi shkaqet dhe përgjegjësitë konkrete. Kjo mungesë transparence është e papranueshme dhe tregon një qasje mbrojtëse ndaj interesave të pronarëve, në vend që të mbrohet jeta dhe dinjiteti i punëtorëve.
Fshehja e të dhënave thelbësore për kompaninë që operon në Galerinë 43 të Zonës D, ku humbi jetën Kujtim Dangri, e bën viktimën të vritet për së dyti: një herë nga kushtet e rrezikshme të punës, dhe një herë tjetër nga heshtja institucionale që zbeh vlerën e jetës së tij.
KSSH kërkon:
1. Transparencë të plotë mbi shkaqet e aksidentit, përgjegjësitë ligjore dhe emrat e subjekteve të përfshira.
2. Hetim të pavarur e të paanshëm, që të çojë para drejtësisë çdo shkelës të standardeve të sigurisë në punë.
3. Masa urgjente për garantimin e kushteve të sigurisë në të gjitha minierat e Bulqizës dhe sektorët e tjerë me rrezikshmëri të lartë.
4. Vlerësim dhe mbështetje sociale për familjen e viktimës, që sot mbeti pa mbrojtësin e saj kryesor.
Jeta e punëtorit nuk mund të jetë një kosto e pranueshme për fitimin e kompanive. KSSH i bën thirrje qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse që të ndalojnë menjëherë këtë cikël tragjik ku humbjet e jetëve mbulohen me njoftime të thata dhe harrohen pa u marrë asnjë përgjegjësi.
Kujtimi Dangri nuk është thjesht një numër në një raport policor. Ai është një njeri, një baba, një punëtor që dha jetën në galeritë e Bulqizës, aty ku mijëra minatorë punojnë çdo ditë në kushte të pasigurta. Mosveprimi dhe mungesa e transparencës janë bashkëfajësi.


