Në selinë e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), u zhvillua një takim i rëndësishëm mes Presidentit të KSSH, Z.Kol Nikollaj dhe Zëvendës Presidentes së KSSH-së, Znj.Anisa Subashi me Z.Wolfgang Katzian, Presidentit i ÖGB njëherësh edhe President i Konfederatës Evropiane të Sindikatave (ETUC), Z.David Hafner, Shefi i Zyrës së ÖGB në Bruksel dhe Z.Marcus Strohmeier, Shefi i Politikave Ndërkombëtare të ÖGB.
Ky takim u realizua në kuadër të vazhdimit të bashkëpunimit bilateral të ngushtë dhe vëllazëror që KSSH dhe ÖGB kanë prej shumë vitesh, solidaritetit sindikal dhe shkëmbimit të eksperiencave, me fokus të veçantë në proceset integruese të Shqipërisë dhe forcimin e rolit të sindikatave në këto zhvillime.
Gjatë bisedimeve u theksua rëndësia e anëtarësimit të KSSH në ETUC si një hap strategjik për rritjen e peshës së sindikatave shqiptare në arenën evropiane dhe ndërkombëtare.
Presidenti Nikollaj shprehu mirënjohjen e tij ndaj Presidentit të ÖGB-së dhe vëllezërve sindikalistë austriakë për vëmendjen dhe rëndësinë që i kushtojnë KSSH-së me këtë vizitë, e cila për Presidentin e ÖGB-së përfaqëson gjithashtu vizitën e tij të parë në Shqipëri. Ai vlerësoi nderin që delegacioni austriak ishte i ftuar special në aktivitet, si edhe bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e shumëanshme që ÖGB ka ofruar ndër vite për KSSH-në. Ai nënvizoi angazhimin e KSSH-së për të luajtur një rol aktiv jo vetëm në vend, por edhe në rajon, përmes ndërtimit të marrëdhënieve solide ndërkombëtare dhe forcimit të dialogut social.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve lidhej me reformat e brendshme të KSSH-së, veçanërisht përpjekjet për rinovimin dhe demokratizimin e strukturave sindikale, si dhe rritjen e përfshirjes së grave dhe të rinjve në jetën sindikale. Ky proces shihet si një garanci për një lëvizje sindikale më moderne, gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese.
Takimi përmbylli me zotimin e përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e përvojave më të mira dhe mbështetjen e ndërsjellë në sfidat që kanë përpara sindikatat në rajonin tonë dhe në Evropë.


