U zhvillua online Takimi i 22-të i Këshillit Ekzekutiv të ITUC, ku nga KSSH pjesëmarrëse ishte Zëvendës Presidentja e KSSH-së, Znj. Anisa Subashi.
Në fillim të gjithë pjesëmarrësit u ngritën në këmbë dhe mbajtën një minutë heshtje në respekt të jetëve të humbura nga Covid-19, si dhe kolegëve të humbur gjatë kësaj kohe.
Në takim Znj. Sharan Burrow, Sekretarja e Përgjithshme e ITUC, referoi mbi situatën ku sindikatat në të gjithë botën janë dhe me sfidat që po përballen, si dhe fokusin e punës gjatë kësaj kohe të ITUC, fushatat e ndërmarra, politikat si dhe pikat kryesore të punës për 2020-2021. Ajo theksoi se ka ardhur koha të ritheksojmë kërkesat tona se plani i rekuperimit duhet patjetër të jetë i drejtuar drejt mbrojtjes sociale, punës dinjitoze, të drejtave të punonjësve, dialogut social, sigurisë dhe shëndetit, demokracisë funksionale sociale dhe ekonomike, etj.
Në këtë takim diskutuan mbi situatën, sfidat si edhe për planet, politikat dhe veprimet e ndërmarra edhe drejtues të institicioneve sindikale të tjera si ETUC, AFL-CIO, UNI, ITF, etj.
Presidenti i AFL-CIO, Z. Richard Trumka në fjalën e tij së pari falenderoi të gjithë vëllezërit e motrat e sindikatave ndërkombëtare, si dhe ITUC, për solidaritetin dhe mbështetjen e dhënë jo vetëm në javët e fundit, por edhe gjatë viteve të fundit nën administratën e Trump-it dhe më pas duke theksuar se duhet të ndërtojmë një të ardhme globale më të mirë së bashku dhe me një jetë me dinjitet, shpalosi disa nga prioritetet e axhendës së punës së AFL-CIO në të vazhdim.
Ditën e dytë takimi kishte raporte të ndryshme të rajoneve, si dhe ato financiare të takimeve të Byrosë Ekzekutive të ITUC, të vitit 2019, të Komisionit të Auditit, të Organizatave Rajonale të ITUC, Buxheti për vitin 2021, Fondin e Solidaritetit, etj.
Për të gjitha çështjet e diskutuara u bë edhe votimi përkatës.