MBLIDHET ASAMBLEJA E PËRGJITHSHME E KSSH.
Në selinë e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), më datë 18 shtator 2026, u zhvillua, në përputhje me dispozitat e Statutit të KSSH-së, mbledhja e radhës e Asamblesë së Përgjithshme (AP).
Asambleja e Përgjithshme shqyrtoi dhe analizoi veprimtarinë organizative, institucionale, ekonomike dhe juridike të KSSH-së, si dhe problematikat që lidhen me funksionimin dhe konsolidimin e strukturave sindikale në të gjitha nivelet.
Në përfundim të diskutimeve, Asambleja e Përgjithshme miratoi Platformën për ndryshimin, përmirësimin dhe konsolidimin e veprimtarisë së KSSH-së, duke përcaktuar drejtimet dhe angazhimet kryesore për forcimin e mëtejshëm të lëvizjes sindikale.
Aksesi në drejtësi dhe mbrojtja juridike e të drejtave sindikale.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua veprimtarisë së Departamentit Juridik të KSSH-së, i cili ndjek prej vitesh dhjetëra procese gjyqësore që lidhen me konflikte pune, regjistrimin dhe njohjen e personalitetit juridik, si dhe çështje të tjera, përfshirë konfliktet pronësore.
Asambleja konstatoi problematikën e zvarritjes së proceseve gjyqësore dhe dhënies së vendimeve përtej afateve të arsyeshme, duke vlerësuar se vonesat në shqyrtimin dhe përfundimin e çështjeve gjyqësore krijojnë pasoja të drejtpërdrejta në ushtrimin normal të veprimtarisë së organizatës sindikale. “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.
Zvarritja e proceseve gjyqësore dhe pasiguria juridike që rrjedh prej tyre vështirësojnë ushtrimin e plotë të veprimtarisë kushtetuese dhe ligjore të lëvizjes sindikale, si dhe ndikojnë në gjendjen ekonomike dhe funksionimin institucional të KSSH-së.
Platforma për ndryshimin dhe konsolidimin organizativ e financiar.
Platforma e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme synon forcimin e organizimit në bazë, përmirësimin dhe konsolidimin e gjendjes ekonomike e sociale të anëtarësisë sindikale, si dhe rritjen e rolit dhe kapaciteteve të sindikatave në mbrojtjen dhe përfaqësimin dinjitoz të të drejtave dhe interesave të punëmarrësve.
Platforma mbështetet në këto shtylla kryesore:
-Rritja dhe zgjerimi i antarsisë sindikale.
-Forcimi i organizimit dhe funksionimit në bazë.
-Zbatimi i Statutit, rregulloreve dhe gjithë vendimmarrjes nga të gjitha strukturat sindikale.
-Zhvillimi ritmik i zgjedhjeve në bazë dhe plotësimi i vakancave sipas Statutit të KSSH-së.
-Përmirësimi i situatës ekonomike dhe administrimit financiar.
-Angazhimi më aktiv i Sindikatave në mbrojtjen dhe përfaqësimin e punëmarrësve.
-Rritje dhe performancë në komunikim dhe transparencë në çdo vendimmarrje.
-Përgjegjësi dhe llogaridhënia sipas Statutit të KSSH-së nga të gjitha strukturat sindikale.
Kjo platformë ka për synim:
Një KSSH më të fortë në organizim dhe përfaqësim, më të madhe në antarsi, më e qëndrueshme ekonomikisht, më demokratike në funksionim dhe më aktive në efektive në ballafaqimet me punëdhënësit dhe strukturat shtetërore e publike.
AP e KSSH mori edhe disa vendime të rëndësishme për efiçencën dhe rivitalizimin e disa aseteve të KSSH-së të cilat prej vitesh vazhdojnë të mos jenë në efiçencë ekonomike dhe kanë rënduar situatën financiare me shpenzime avokatie dhe mirëmbajtjeje.


