Takime të lidershipit të Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Transportit dhe Telekomunikacionit të Shqipërisë, anëtare e KSSH, me Sindikalistë dhe drejtues vendor në filialet e “Postës Shqiptare” Sh.a. në Fier, Berat, Vlorë dhe Burrel.
Në të gjitha këto takime u diskutua për problematikat e shumta me të cilat përballen punonjësit e Postës Shqiptare në lidhje me kryerjen me efikasitet të shërbimit të tyre ndaj publikut me cilësi dhe në kohë.
Pagat e ulëta, kushtet jo dinjitoze në punë, mungesa e bazës materialo-infrastrukturore dhe shpesh problematikat në menaxhim ishin disa nga shqetësimet e sindikalistëve.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Z.Tonin Gjinaj, trajtoj punën e mirë që po bën kjo Federatë Sindikale në intensifikimin e kërkesave dhe të aktivitetit të sindikatës në të gjitha seksionet e profesioneve të saj, si në Transportin Detar, Transport Hekurudhor, Transportin Automobilistik, Transportin Urban dhe Interurban, në Shërbimin Taksi, e veçanërisht kohët e fundit në “Postën Shqiptare” sh.a, ku po punohet me të gjitha forcat me fokus në drejtim të rritjes pagave. Rritja që miratoi Këshilli Administrativ me kërkesën e vazhdueshme të sindikatës nuk ishte gjithçka, por ishte diçka dhe kjo do të vazhdojë të ndiqet ritmikisht nga sindikata.
Ai nënvizoi gjithashtu mbështetjen e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë për punonjësit e Postës dhe të gjithë punonjësve shqiptare për paga të drejta, të pranueshme, dinjitoze dhe përmirësim të kushteve të punës e cilësisë së jetesës të punëtorëve shqiptare.


