INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Takim pune në KSSH/QTSSSH me drejtues të Qendrës së Solidariteti të AFL-CIO në Tiranë.

Në ambientet e KSSH/QTSSSH u zhvillua një takim pune mes Presidentit të KSSH-së, Z.Kol Nikollaj dhe Zv.Presidentes dhe Drejtoreshës së QTSSSH, Znj.Anisa Subashi me drejtues të Qendrës së Solidaritetit të AFL-CIO në Tiranë, ku u diskutuan zhvillimet aktuale në lëvizjen sindikale shqiptare dhe sfidat me të cilat përballen punëtorët në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Gjatë takimit u evidentuan disa prej sfidave më kritike që ndikojnë në funksionimin, pavarësinë dhe efektivitetin e sindikatave në Shqipëri:

  1. Politizimi i sindikatave dhe mungesa e pavarësisë.

Studimet tregojnë se afërsisht gjysma e anëtarëve dhe jo-anëtarëve mendojnë se sindikatat janë të politizuara dhe se drejtuesit e tyre kanë ndikim të kufizuar në politikat publike. Bashkëpunëtorë dhe aktorë të tjerë shprehin shqetësim për ndërhyrjet politike në strukturat sindikale dhe krijimin e sindikatave të reja pas ndryshimeve të pushtetit.

  1. Besimi i ulët i punëtorëve dhe mungesa e transparencës.

Rreth gjysma e anëtarëve shprehin pasiguri për mënyrën se si shpenzohen kuotat dhe fondet sindikale, veçanërisht në sindikatat autonome. Mungesa e komunikimit mbi menaxhimin financiar dëmton besimin e punëtorëve dhe përfshirjen e tyre aktive.

  1. Përfaqësimi i dobët në sektorin privat dhe informal.

Sindikatat mbeten më të fuqishme në sektorin publik, ndërsa sektori privat, ku punësohen mbi 80% e punonjësve vazhdon të jetë i nënpërfaqësuar. Në sektorë si ndërtimi, pastrimi dhe tekstilet, informaliteti mbetet i lartë, me mungesë kontratash, sigurimesh dhe pagesa jashtë sistemit.

  1. Mungesë zbatimi i ligjit dhe mbrojtje e dobët ligjore.

Inspektorati Shtetëror i Punës përballet me mungesë burimesh, ndikime politike dhe kapacitete të kufizuara. Proceset gjyqësore për çështje të të drejtave të punëtorëve zgjasin 3–4 vjet. Punëdhënësit shpesh përdorin forma presioni për të penguar organizimin sindikal, si transferime, ulje pagash ose largime nga puna.

  1. Kufizime të së drejtës së grevës.

Ligji shqiptar e kufizon ndjeshëm të drejtën e grevës në shërbimet e konsideruara “thelbësore”. Në sektorët civilë kanë ekzistuar raste ndëshkimi ndaj punonjësve që marrin pjesë në greva të cilësuara të paligjshme.

  1. Fragmentimi dhe konkurrenca ndërmjet sindikatave.

Në vend ekzistojnë mbi 80 sindikata, gjë që krijon fragmentim, mungesë kohezioni dhe shpesh konkurrencë të brendshme. Ky realitet e dobëson fuqinë kolektive dhe e bën më të vështirë arritjen e marrëveshjeve të qëndrueshme kolektive.

  1. Sfidat e tranzicionit të drejtë (“just transition”) ekologjik.

Shqipëria, si pjesë e Ballkanit, përballet me procesin e tranzicionit drejt ekonomisë së gjelbër dhe energjive të pastra. Sindikatat duhet të kenë rol thelbësor në mbrojtjen e punonjësve gjatë këtij transformimi.

  1. Skepticizëm historik ndaj sindikatave

Trashëgimia e periudhës së kaluar ka krijuar skepticizëm të qëndrueshëm tek shumë punonjës, të cilët shpesh janë të rezervuar për t’u anëtarësuar ose angazhuar aktivisht në lëvizjen sindikale.

Ky takim nënvizoi domosdoshmërinë e forcimit të kapaciteteve sindikale, rritjen e transparencës, depolitizimin, rritjen e përfaqësimit në sektorin privat dhe mbrojtjen efektive të të drejtave të punëtorëve në të gjithë sektorët e ekonomisë. KSSH dhe partnerët ndërkombëtarë do të vijojnë bashkëpunimin për të adresuar këto sfida dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës në punë në Shqipëri.

Share