Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) dhe Qendra e Trajnimit dhe Studimeve Sindikale të Shqipërisë (QTSSS), me mbështetjen e Qendrës Amerikane për të Drejtat dhe Solidaritetin në Punë (Solidarity Center), Zyra e Tiranës, organizoi Trajnimin mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (SSHP), ku mblodhi 45 profesionistë të rinj të kujdesit shëndetësor: mjekë, infermir edhe disa të rinj që kryejnë stazhin në Spitalin e Durrësit.
Znj.Anisa Subashi, Zëvendës Presidente e KSSH-së dhe Drejtore e QTSSSH, moderoi dhe hapi seminarin, ku falenderoi Qendrën e Solidaritet për gjithë mbështetjen gjatë këtyre viteve dhe Bruna Hylviu, Drejtuesen e Projektit për punën mjaft të mirë dhe profesionale të bërë gjatë këtyre viteve.
Z.Kol Nikollaj, President i KSSH, përshëndeti dhe solli si shembull një rast të fundit ku kundrejt pesë mjekëve janë marë masë paralajmërimi në spitalin e Durrësit, duke theksuar se KSSH po i përfaqëson ata përmes procedurave ligjore dhe negociatave me punëdhënësin.
Znj.Bruna Hylviu informoi mbi Qendrën e Solidaritetit, punën që bën dhe rëndësinë që i jep mbështetjes së Sindikatave.
Dy ekspertë nga Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale prezantuan kuadrin ligjor kombëtar për SSHP në sektorin e shëndetësisë dhe diskutuan Kontratën Kolektive midis KSSH-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.
Znj.Klementina Meci, Zëvendës Drejtoresha e Spitalit Rajonal të Durrësit përshëndeti pjesëmarrësit dhe i inkurajoi ata të mbeten të përkushtuar ndaj profesionit të tyre, por edhe të kontribuojnë në përmirësimin e standardeve të SSHP-së në spitale dhe në strukturat e tjera shëndetësore.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi nevojën urgjente për protokolle të qarta sigurie, pajisje mbrojtëse të mjaftueshme dhe standarde pune, për të mbrojtur shëndetin e punonjësve të këtij sektori.
Anisa Subashi i inkurajoi pjesëmarrësit të mbeten të përkushtuar ndaj misionit të tyre human dhe të forcojnë standardet e SSHP-së në vendin e punës.


