INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

QËNDRIMI I KSSH NË LIDHJE ME KONFLIKTIN KOLEKTIV NË MINIERËN E BAKRIT SPAÇ.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Minierën e Bakrit në Spaç, ku edhe sot nuk është arritur asnjë dialog real ndërmjet përfaqësuesve të punëtorëve të sektorit të nëntokës dhe kompanisë koncesionare “Tete Albania Tunnel & Minning ” Sh.a. KSSH vlerëson se zvarritja e bisedimeve, mungesa e vullnetit për dialog social dhe përpjekjet për të shmangur sindikatën nga procesi i përfaqësimit ligjor të punëtorëve, përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të parimeve themelore të të drejtave të punës dhe të lirisë sindikale.

KSSH dënon me forcë çdo formë presioni, intimidimi apo shantazhi ndaj minatorëve, qofshin këto përmes mesazheve në telefonat privatë, thirrjeve individuale “të fshehta”, apo përdorimit të strukturave të rendit për të frikësuar punëtorët që po ushtrojnë të drejtën e tyre legjitime për organizim dhe protestë paqësore.
Në një shtet demokratik, policia e shtetit nuk mund të përdoret për të shuar zërin e punëtorëve, por për të garantuar rend, siguri dhe respekt të ligjit.

KSSH i bën thirrje zyrtare Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera, si dhe Ministrisë përgjegjëse për Punën, që të ndërhyjnë menjëherë për të verifikuar shkeljet, për të ndaluar çdo formë kërcënimi dhe për të mbajtur qëndrim ligjor ndaj një punëdhënësi që rezulton problematik në zbatimin e marrëveshjes koncesionare, detyrimeve tatimore dhe raporteve me pushtetin vendor.

Minatorët e Spaçit po dëshmojnë me dinjitet se nuk kërkojnë privilegje, por respektimin e të drejtave bazë të punës, ashtu siç përcaktohen në ligjet shqiptare, Konventat Ndërkombëtare të ILO dhe standardet evropiane të sigurisë dhe dinjitetit në punë.

KSSH i bën thirrje kompanisë “Tete Albania” dhe institucioneve shtetërore që të hapin menjëherë një dialog social të vërtetë me përfaqësuesit e punëtorëve dhe të nënshkruajnë kontratën kolektive të punës, si garanci për një marrëdhënie të drejtë, të qëndrueshme dhe të denjë pune.

KSSH mbetet e vendosur të qëndrojë përkrah çdo punëtori dhe të mbrojë me vendosmëri!

Share