Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë dhe Këshilli i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në KSSH , shprehin dhimbjen dhe solidaritetin e thellë me familjen e elektricistit të OSHEE që humbi jetën tragjikisht gjatë kryerjes së detyrës në zonën e Tales, në fshatin Rrilë, Lezhë.
Humbja e një jete në vendin e punës është një alarm i fortë për gjendjen e sigurisë dhe shëndetit në punë në vend. Çdo punonjës ka të drejtën themelore të kthehet shëndoshë e mirë pranë familjes së tij pas përfundimit të orarit të punës. Çdo dështim në garantimin e kushteve të sigurta përbën përgjegjësi të drejtpërdrejtë institucionale dhe ligjore.
Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi:
1- Zbatimin e protokolleve të sigurisë gjatë punimeve në rrjetin elektrik;
2- Pajisjen e punonjësve me mjete mbrojtëse individuale të certifikuara;
3- Respektimin e procedurave për ndërhyrje në linja me rrezik të lartë;
4- Ushtrimin e kontrollit dhe mbikëqyrjes nga strukturat përgjegjëse.
Është e papranueshme që mungesa e kushteve të sigurisë dhe neglizhenca institucionale të vazhdojnë të marrin jetë njerëzish.
Inspektimet në terren nuk mund dhe nuk duhet të jenë formale, selektive apo të kushtëzuara nga frika dhe paaftësia për të vepruar ndaj çdo subjekti, publik apo privat.
KSSH kërkon:
1-Hetim të plotë, të pavarur dhe transparent të ngjarjes;
2-Nxjerrjen e përgjegjësive administrative dhe penale për çdo shkelje të konstatuar;
3-Forcimin e menjëhershëm të kontrolleve nga organet kompetente;
4-Audit të thelluar të kushteve të sigurisë në ndërmarrjet që operojnë në sektorë me risk të lartë.
5-Siguria në punë nuk është formalitet – është detyrim ligjor dhe moral.
6-Mosndëshkimi dhe tolerimi i shkeljeve krijojnë precedent të rrezikshëm dhe kthejnë vendin e punës në ambient fatal.
KSSH do të ndjekë me vëmendje zhvillimet e mëtejshme dhe do të kërkojë transparencë të plotë nga autoritetet për këtë rast tragjik.


