Presidenti i KSSH, Z. Kol Nikollaj përshëndeti sot Minatorët Bulqizak në përvjetorin e 78-të të themelimit të Minierës së Kromit dhe të qytetit të Bulqizës që mori jetë nga kjo Minierë.
Ndër të tjera ai u shpreh se:
“…. Në këtë 78-vjetor të Minierës së Kromit Bulqizë, përulemi me respekt dhe mirënjohje përpara historisë së lavdishme të këtij gjigandi nëntokësor.
Që prej vitit 1948, kur u hodhën themelet e para të minierës, Bulqiza u kthye në simbol të punës, sakrificës dhe krenarisë kombëtare.
Me nderim kujtojmë 30 minatorët mirditorë që u dërguan për të nisur për herë të parë punën në këtë minierë, duke sjellë me vete përvojën dhe traditën e tyre të vyer.
Ata ishin bij të Mirditës, të formuar në traditën e hershme minerare që nga koha e pirustëve, duke e ngritur këtë profesion në nivel akademie.
Me përkushtim dhe profesionalizëm, ata ua mësuan zanatin vëllezërve bulqizakë, duke mbjellë farën e dijes dhe të disiplinës minerare.
Kjo frymë bashkëpunimi dhe solidariteti u përhap më pas edhe në minierat e Kukësit, Martaneshit, Pukës e më gjerë.
Bulqiza u bë zemra e kromit shqiptar, simbol i sakrificës dhe i qëndresës së punëtorit të nëntokës.
Në dekada, minatorët e kromit ndërtuan një kulturë të fortë uniteti, ku fjala “shok” kishte peshën e jetës.
Solidariteti ishte mburoja e tyre, ndërsa dinjiteti pasuria më e madhe.
Sot, në këtë përvjetor, jemi krenarë si mirditorë për parardhësit tanë që kontribuuan në ngritjen e këtij kolosi industrial.
Krenaria jonë lidhet me djersën, sakrificën dhe ndershmërinë e atyre burrave që punuan në thellësitë e tokës për të ndërtuar të ardhmen.
Por njëkohësisht ndiejmë shqetësim për rrugën që po merr sot ky gjigand krommbajtës.
Lavdia dhe solidariteti rrezikojnë të zëvendësohen nga lakmia dhe fitimi i verbër.
Transparenca dhe përgjegjësia shpesh zbehen përballë interesave koncesionare të dyshimta te autokracive te politikes e biznesit , larg syrit demokratik te qyteterimit europiano-perendimor.
Dinjiteti i minatorit bulqizak nuk duhet të shkelet nga asnjë formë autokracie apo padrejtësie.
Historia e kësaj miniere është histori sakrifice dhe krenarie, jo histori pazari.
Le ta kujtojmë këtë 78-vjetor si një thirrje për rikthim te vlerat e unitetit, drejtësisë dhe respektit për punëtorin.
Le të mbetet Bulqiza simbol i ndershmërisë dhe i dinjitetit njerëzor, ashtu siç e ndërtuan pionierët e saj.
Nderim përjetë minatorëve të Mirditës dhe Bulqizës, që me guxim dhe zemër të fortë shkruan historinë e kromit shqiptar.”
(Shënim: Burimi i fotos është kanali “Bulqiza TV” në YouTube.)


