Sot u zhvilluan mbledhjet e Asambleve Vendore të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) në qarqet Fier dhe Vlorë.
Në qendër të diskutimeve ishte analiza e veprimtarisë sindikale, vlerësimi i arritjeve dhe përcaktimi i objektivave e sfidave për periudhën në vijim, në zbatim të vendimeve të Asamblesë së Përgjithshme (AP), Statutit dhe akteve të tjera rregullatore të KSSH-së.
Në këto mbledhje, Presidenti i KSSH-së, Kol Nikollaj , theksoi domosdoshmërinë e një riorganizimi dhe riformatimi të strukturave sindikale në të dy qarqet, me synimin për të rritur efektivitetin e veprimtarisë, përfaqësimin e punëmarrësve dhe rolin e sindikatave në mbrojtjen e të drejtave ekonomike e sociale të anëtarësisë.
Mesazhi i tij ishte i qartë: “sindikalistët dhe opinioni publik presin më shumë nga organizimi dhe veprimi sindikal.”Kjo kërkon angazhim konkret, përgjegjësi institucionale dhe një qasje të re ndaj sfidave të tregut të punës.
Në fokus të prioriteteve u vendosën:
– Zgjerimi i anëtarësisë sindikale , veçanërisht në sektorin privat, aty ku nevoja për organizim, përfaqësim dhe mbrojtje kolektive është e domosdoshme.
– Zbatimi korrekt i kontratave kolektive të punës , duke garantuar respektimin e të drejtave të punëmarrësve dhe përmbushjen e detyrimeve nga palët nënshkruese.
– Lufta kundër frikës dhe pasigurisë në vendin e punës , duke nxitur guximin qytetar, solidaritetin dhe ndërgjegjësimin se organizimi sindikal është një e drejtë dhe një instrument legjitim për mbrojtjen e interesave të punëmarrësve.
– Qëndrimi kritik dhe reagimi konkret ndaj problemeve ekonomike e sociale , përfshirë rritjen e përgjithshme të çmimeve dhe, në mënyrë të veçantë, shtrenjtimin e karburanteve, të cilat rëndojnë drejtpërdrejt mbi buxhetet familjare dhe fuqinë blerëse të punëmarrësve.
– Forcimi i komunikimit dhe shkëmbimit të ndërsjellë të informacionit ndërmjet strukturave sindikale, për të rritur koordinimin dhe për të ndërtuar veprime të përbashkëta më të efektshme.
– Përfshirja në platformat digjitale dhe përdorimi i inteligjencës artificiale (AI) , në të gjitha nivelet e organizimit sindikal, si mjete bashkëkohore për komunikimin, informimin, organizimin dhe rritjen e kapaciteteve profesionale.
Një sindikatë e fortë nuk matet vetëm nga struktura që ka, por nga aftësia për të organizuar punëmarrësit, për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të reaguar me vendosmëri ndaj çdo problematike që prek jetën dhe dinjitetin e tyre. “Organizimi, solidariteti dhe veprimi konkret duhet të jenë themeli i punës sonë të përditshme.”
Në përfundim të mbledhjeve, në Asamblenë Vendore të qarkut Fier u rimandatuа si koordinator i KSSH-së Rrapo Isufi , ndërsa në Asamblenë Vendore të qarkut Vlorë u rimandatuа Kujtim Myrto.
Të dy koordinatorët u zotuan se deri në fund të vitit do të angazhohen për realizimin e objektivave të përcaktuara nga AP e KSSH-së, në përputhje me Statutin, rregulloret dhe vendimet kolegjiale të organizatës.
Këto mbledhje përbëjnë një thirrje për më shumë përgjegjësi, mobilizim dhe veprim. Sfidat që kemi përpara kërkojnë struktura funksionale, drejtim të përgjegjshëm dhe sindikalistë të angazhuar, të aftë të kthejnë vendimet në rezultate konkrete në interes të punëmarrësve.
“KSSH – ZËRI I PUNËMARRËSVE, MBROJTJA E TË DREJTAVE DHE FORCA E SOLIDARITETIT SINDIKAL!”


