Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), së bashku me Përfaqësues të Komisionit të grevës së minatorëve të Spaçit, ishte sot pjesë e dy takimeve zyrtare në Komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë.
Fillimisht, KSSH dhe përfaqësuesit e minatorëve morën pjesë në Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku informuan deputetët mbi situatën e grevës që ka hyrë tashmë në muajin e saj të parë, problematikat serioze të hasura gjatë këtij procesi dhe shkeljet e të drejtave themelore të punonjësve. Në këtë takim u kërkua mbështetja e drejtpërdrejtë e Kuvendit për ndërhyrjen e institucioneve shtetërore përgjegjëse në zgjidhjen e konfliktit.
Po ashtu, KSSH ishte e pranishme edhe në Komisioni i Ekonomisë, Punësimit dhe Financave, ku u trajtuan aspektet ekonomike, ligjore dhe sociale të konfliktit të punës, si dhe pasojat që zvarritja e situatës po sjell për minatorët dhe familjet e tyre.
Deputetët e të dy komisioneve shprehën mbështetjen e tyre për kërkesat e minatorëve dhe u angazhuan se do t’u kërkojnë institucioneve përkatëse shtetërore të angazhohen seriozisht në zgjidhjen e konfliktit, duke respektuar ligjin dhe duke garantuar të drejtat themelore të punonjësve, të sanksionuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Kodi i Punës, Konventat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) të ratifikuara nga shteti shqiptar, si dhe Direktivat e Bashkimit Europian.
KSSH theksoi se dialogu social i sinqertë dhe respektimi i legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar mbeten e vetmja rrugë për zgjidhjen e qëndrueshme të konfliktit dhe rikthimin e normalitetit në marrëdhëniet e punës.
Më poshtë gjeni seancat e komisioneve përkatëse.
Komisioni Parlamentar i Të Drejtave të Njeriut dhe Mjeteve të Informimit Publik-
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë, Punësimit dhe Financave-


