Në kuadër të “Ditës Botërore të Punës së Denjë”, ditën e shtunë, datë 07.10.2017 ora 10:00, tek Salla e Muzeut Kombëtar, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) organizoi Konferencën Kombëtare me teme: “PAGA DHE PENSIONE DINJITOZE” Kjo Konferencë u organizua nga KSSH në bashkëpunim dhe me mbështetje nga Konfederata Botërore e Sindikatave, ITUC/PERC dhe Konfederata Europiane e Sindikatave ETUC si dhe LO, SACO dhe TCO, (tre Konfederatat Sindikale Suedeze). Prej shumë vitesh Organizata Botërore e Punës (ILO) promovon 7 Tetorin si Ditën Botërore të Punës së Denjë. KSSH tashmë është bashkangjitur përkufizimit të bërë nga ILO e miratuar nga komuniteti ndërkombëtar duke u përfshirë në punë ë denjë, si një punë produktive për gratë, burrat, në kushtet e lirisë, barazisë, sigurisë dhe dinjitetit njerëzor. Puna e denjë mundëson siguri në vendet e punës dhe një mbrojtje sociale për punëtoret dhe familjet e tyre, ajo inkurajon integrimin social dhe ju garanton njerëzve liri për të shprehur shqetësimet e tyre që ata të organizohen dhe marrin pjesë në vendim marrjen e cila ndikon në jetën e tyre, puna e denjë garanton mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë. Punësimi si një faktor themelor për të përcaktuar punën e denje dhe jetën dinjitoze ka qenë dhe mbetet Kryefjala e sindikatës tonë. Paga dhe shpërblimi dinjitoz janë një element fondamental për sigurimin e një jetese normale dhe për plotësimin e nevojave dinnjitoze per çdo punëtor e qytetar. Kjo fillon nga përllogaritja e pagës minimale si nivel bazik mbi të cilën përllogariten pagat, pensionet, shpërblimet, etj. Prandaj KSSH kërkon një rritje urgjente në 28000 lekë në muaj të pagës minimale, detyrim ky kushtetues i çdo Qeverie. Paga minimale dhe minimumi jetik janë një e drejtë themelore e njeriut të cilat luftojnë varfërinë dhe garantojnë sigurinë tek qytetarët. Kur flasim për mirëqenie dhe për dinjitet të punonjësit pa rritur pagën minimale dhe pa përcaktuar minimumin jetik është njëlloj sikur të ndërtojmë një çati pa themele. Vetëm kjo do ta orientojë ekonominë nga varfëria drejt mirëqenies pasi varfëria nuk është natyrore por ajo vjen nga uzurpimi i zhvillimit, nga stabilishmenti politik. KSSH i kërkon Qeverisë Status të veçantë për profesionet e vështira të Minatorit dhe Metalurgut, ky është një detyrim për ata qindra mijëra minator e metalurgë që më gjakun e djersën e tyre ndërtuan ekonominë kombëtare që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot. Puna e denjë nuk mund të ekzistojë pa sindikata aktive dhe pa kontrata kolektive reale. Këto kontrata kolektive jo vetëm që do të bëjnë punën dinjitoze por së pari do të kthejnë dinjitetin e nëpërkëmbur të punëtorëve shqiptar të cilët fatkeqësisht po kthehen në “skllevër modernë” të kapitalizmit të ri. Pikërisht për sa më sipër në kuadër të kësaj ditë të rëndësishme botërore ku e gjithë bota e punë promovon punë e denjë KSSH hap një fushatë të re 1 – vjeçare me synim arritjen e këtyre objektivave. Për promovimin e kësaj fushate KSSH shtrin dorën dhe kërkon bashkëpunimin e të gjithë shoqërisë, sidomos të sindikatave simotra, të punëdhënësve, të shoqërisë civile, partive politike e veçanërisht të medias si pushteti i katërt dhe i pazëvendësueshëm për promovimin e fushatave të tilla. Kol Nikollaj President i KSSH