INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i kërkon Qeverisë miratimin e Statusit të Minatorit

Vdekja e dy të rinjve që mblidhnin skrap pak ditë më parë në ish Uzinën e Superfosfatit në Laç, ka rikthyer edhe një herë panoramën tragjike të kushteve në të cilat punojnë me dhjetëra e qindra shqiptarë, jashtë çdo standardi dhe sigurie. I ftuar në emisionin televiziv “Intervista e Ditës” me gazetarin Erjon Çikun, Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Shqiptare (KSSH) Kol Nikollaj thekson se pavarësisht shqetësimit të ngritur ndër vite, situata mbetet e pandryshuar. Presidenti i KSSH, ne vijimësi i ka bërë të ditur qeverisë situatën e vështirë në të cilat punojnë mjaft minatorë, në atë që ai i quan “galeritë e vdekjes”. Por sërish nuk janë marrë veprime konkrete nga qeveria për të parandaluar këtë realitet në vendin tonë. Më tej Presidenti i KSSH nënvizon se kanë kërkuar nga autoritetet që kjo çështje të zgjidhet në rrugë institucionale dhe ligjore. Por shton se nëse kjo nuk ndodh të paktën deri në muajin Shtator të këtij viti, atëherë është parashikuar që situata të përshkallëzohet ku nuk përjashtohen as grevat masive të minatorëve. Për Presidentin e Konfederatës së Sindikatave Shqiptare, Ligji për Statusin e Minatorit ndodhet ende në zyrat e Kuvendit, prej muajsh tashmë, por që ende nuk po i jepet zgjidhje nga qeveria. Ndaj ai i bën thirrje zyrtarëve më të lartë që të merren parasysh kërkesat e vetë minatorëve, në të kundërt do të ketë protesta masive, deri në greva urie.

Share