INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Deklaratë përshëndetjeje dhe falenderimi të 2 Komisioneve Parlamentare.

Në emër të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), drejtuar deputetëve të Komisioneve Parlamentare të të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik dhe atij të Ekonomisë, Punësimit dhe Financave për mbështetjen e dhënë ndaj minatorëve grevistë të Minierës së Bakrit në Spaç!
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë, deputetët e komisioneve parlamentare të të Drejtave të Njeriut dhe Mjeteve të Informimit Publik dhe atij të Ekonomisë, Punësimit dhe Financave për angazhimin e tyre institucional, përgjegjshmërinë qytetare dhe frymën e dialogut konstruktiv të treguar në mbështetje të minatorëve grevistë të Minierës së Bakrit në Spaç, Mirditë.
Në një situatë të ndjeshme sociale, ekonomike dhe njerëzore, ku të drejtat themelore të punëtorëve ishin cënuar në mënyrë të hapur e serioze, deputetët e këtyre grupeve parlamentare i qëndruan parimit se çështjet e punëtorëve nuk duhet të politizohen, por të trajtohen me seriozitet institucional, me kërkesë-llogarie të qartë dhe me synimin e vetëm: mbrojtjen e punës, dinjitetit dhe sigurisë së punëmarrësve.
KSSH përshëndet veçanërisht faktin që të gjitha krahet politike përfshirë në këto diskutime, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme ideologjike, i qëndruan së bashku parimit të drejtë dhe të pandryshueshëm se: të drejtat e punëtorëve janë të patjetërsueshme dhe mbrojtja e tyre është detyrim ligjor, moral dhe kushtetues i shtetit shqiptar.
1. Vlerësim për kërkesën e deputetëve që situatës t’i jepet zgjidhje ligjore brenda 10 ditësh, KSSH e mirëpret kërkesën e qartë të deputetëve për realizimin e menjëhershëm të një zgjidhjeje ligjore brenda një afati 10-ditor, një kërkesë e cila jo vetëm i jep rrugë drejtësisë për minatorët, por edhe vendos standard të ri përgjegjshmërie për institucionet që duhet të mbrojnë të drejtat e tyre.
2. Rikthimi urgjent në punë i 76 minatorëve, kërkesë legjitime dhe emergjente.
Strukturat Sindikale nën juridiksionin e KSSH-së kanë dokumentuar në mënyrë të pacënueshme se pezullimi dhe moslejimi i 76 minatorëve për të vijuar punën në kohë greve, ka qenë i padrejtë, diskriminues dhe në kundërshtim të hapur me legjislacionin e punës në Shqipëri.
KSSH bashkohet plotësisht me kërkesën e deputetëve që këta punëtorë të rikthehen menjëherë në vendet e tyre të punës dhe t’u zhbëhen të gjitha pasojat negative të shkaktuara nga punëdhënësi.
3. Llogaridhënie ndaj kompanisë koncesionare turke për respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të Shqipërisë.
KSSH mbështet fuqimisht kërkesën e deputetëve që kompania koncesionare turke të japë llogari dhe të vihet nën kontroll të plotë ligjor për:
-shkeljen e të drejtave të punëtorëve,
-mosrespektimin e kushteve të punës,
-trajtimet selektive e diskriminuese,
-mosrespektimin e orarit zyrtar të punës,
-dhe praktikave të tjera të papranueshme që bien ndesh me ligjet shqiptare dhe me të gjitha standardet e sigurisë e dinjitetit në punë.
4. Thirrje për aktivizim më të madh të Inspektoratit të Punës dhe institucioneve shtetërore.
KSSH nënvizon rëndësinë që Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, si dhe strukturat e tjera shtetërore, të jenë më të pranishme, më aktive dhe më të përgjegjshme në kontrollin e kushteve të punës në minierë. Situata e krijuar tregoi qartë se kontrolli ka munguar dhe se punëtorët janë gjendur të pambrojtur në një mjedis pune ku rrezikshmëria është e lartë dhe ku abuzimet nuk mund të tolerohen.
KSSH kërkon që: të mos ketë asnjë lloj diskriminimi etnik ndërmjet punëtorëve shqiptarë dhe atyre të huaj, të respektohet java 5-ditore e punës, te respektohet koha maksimale prej 8 orësh pune në ditë,
të garantohet siguria fizike dhe psikologjike e punëtorëve.
5. Greva e minatorëve – e ligjshme, e organizuar dhe e bazuar në prova të pakontestueshme.
Greva e minatorëve të Spaçit u organizua nga KSSH, një sindikatë plotësisht e ligjshme, andaj çdo përpjekje për ta delegjitimuar atë është e padrejtë dhe e padenjë për një shtet që synon integrimin europian dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
KSSH deklaron se ka informuar të gjithë deputetët në mënyrë të rregullt, të vazhdueshme dhe të dokumentuar, duke sjellë prova të pakontestueshme për shkeljet e ndodhura. Për këtë arsye, deklaratat e shpërndara nga punëdhënësi për “punësime selektive” apo përpjekjet për të përçarë punëtorët janë diskriminuese, fyese dhe duhen ndëshkuar sipas ligjit shqiptar.
6. Thirrje ndaj Qeverisë së Shqipërisë
KSSH i kërkon qeverisë të: ndjekë me prioritet çështjen e mospërmbushjes së investimeve të kontraktuara nga kompania koncesionare, te verifikojë me transparencë çështjet e kontrollit të mineraleve të çmuara,
të garantojë që të gjitha kompanitë në sektorin minerar të respektojnë detyrimet financiare, teknike dhe sociale të përcaktuara në marrëveshjet koncesionare dhe në ligjin shqiptar.
Në emër të KSSH-së,
Shprehim edhe një herë:
Falënderimin tonë të thellë për deputetët që mbajtën qëndrim profesional, të përgjegjshëm dhe solidar;
Vlerësimin tonë për faktin që parlamenti tregoi se çështjet sociale kërkojnë unitet institucional, jo politikë ditore;
Kthimin tonë të palëkundur ndaj mbrojtjes së të drejtave të minatorëve dhe të çdo punonjësi shqiptar.
KSSH mbetet në dispozicion për bashkëpunim të mëtejshëm me Kuvendin, Qeverinë dhe institucionet përgjegjëse, me qëllim që situata në Minierën e Spaçit të marrë zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe ligjore, dhe që një situatë e tillë të mos përsëritet kurrë më.
Presidenti i KSSH-së,
Kol Nikollaj
Share