INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Presidenti i KSSH-së pjesëmarrës në Konferencën “Dita e Kërkimit Parlamentar”.

Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), Kol Nikollaj mori pjesë në konferencën “Dita e Kërkimit Parlamentar”, e zhvilluar për të tretin vit radhazi nga Kuvendi i Shqipërisë, me temë: “Parlamenti i hapur në funksion të përmirësimit të procesit ligjvënës dhe forcimit të mbikëqyrjes parlamentare”.
Ky aktivitet, i organizuar nga Instituti Parlamentar, në bashkëpunim me NDI dhe me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), mblodhi përfaqësues të institucioneve, komunitetit akademik, shoqërisë civile dhe aktorëve të ndryshëm të interesit.
Konferenca u fokusua në rëndësinë e transparencës, konsultimit publik, vendimmarrjes së bazuar në të dhëna dhe forcimit të rolit mbikëqyrës të Parlamentit, si elemente thelbësore për funksionimin demokratik të institucioneve.
Në këtë kontekst, pjesëmarrja e Presidentit të KSSH-së përfaqëson angazhimin e organizatës sindikale në dialogun institucional dhe në proceset që ndikojnë drejtpërdrejt në hartimin dhe përmirësimin e legjislacionit në vend.
Për KSSH-në, një Parlament i hapur dhe gjithëpërfshirës duhet të garantojë jo vetëm transparencë dhe informim, por edhe mundësi reale për pjesëmarrjen dhe dëgjimin e grupeve të interesit, përfshirë organizatat sindikale dhe përfaqësuesit e punëmarrësve.
Ligjet dhe politikat publike kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, në marrëdhëniet e punës, në mbrojtjen sociale dhe në garantimin e të drejtave të punëmarrësve. Për këtë arsye, konsultimi me partnerët socialë dhe marrja në konsideratë e propozimeve të tyre duhet të jenë pjesë e rëndësishme e procesit ligjvënës.
KSSH vlerëson se dialogu ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit është një mekanizëm i domosdoshëm për ndërtimin e politikave dhe ligjeve që reflektojnë nevojat reale të shoqërisë.
Në kuadër të sfidave të integrimit evropian, forcimi i institucioneve demokratike, transparenca dhe përfshirja e partnerëve socialë marrin një rëndësi të veçantë.
KSSH do të vijojë të jetë pjesë aktive e dialogut institucional, duke mbrojtur interesat e punëmarrësve dhe duke kontribuar në hartimin e politikave dhe legjislacionit që garantojnë të drejta, drejtësi sociale dhe standarde evropiane në botën e punës!

Shiko më pak
Share