Sot, më 26 nëntor 2026, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, u zhvillua takimi periodik i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, me fokus gjendjen aktuale të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Takimi u zhvillua në praninë e Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Znj.Marta Kos, dhe u hap nga bashkëkryetarët e KKIE-së, Z.Taulant Balla dhe Znj.Jorida Tabaku.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) u përfaqësua nga Presidenti i saj, Kol Nikollaj, i cili mori fjalën në panelin kushtuar sfidave të procesit të negociatave nga këndvështrimi i grupeve të interesit.
Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve, grupeve parlamentare, partnerëve socialë, shoqërisë civile dhe botës akademike.
KSSH rithekson rëndësinë e përfshirjes aktive dhe kuptimplotë të sindikatave në procesin e integrimit evropian, forcimit të dialogut social, garantimit të të drejtave të punëmarrësve dhe përafrimit të standardeve të punës me ato të Bashkimit Evropian.
Integrimi evropian duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, me drejtësinë sociale, punën e denjë dhe mirëqenien e qytetarëve në qendër të tij.


