U zhvillua mbledhja e dytë e Këshillit Konsultativ Trepalësh Rajonal Durrës, e drejtuar nga Prefekti i Qarkut Durrës, me fokus forcimin dhe konsolidimin e dialogut ndërmjet institucioneve publike, përfaqësuesve të punëdhënësve dhe sindikatave.
Në këtë takim, përfaqësuesit e sindikatave përfaqësuese të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) u kryesuan nga Tiziana Kosovari, Koordinatore e KSSH-së për Qarkun Durrës!
Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e përafrimit të politikave publike me nevojat, kërkesat dhe dinamikat ekonomiko-sociale të qarkut, si dhe në domosdoshmërinë e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet të gjithë aktorëve institucionalë dhe socialë.
Përfaqësuesit e KSSH-së vlerësojnë rëndësinë e dialogut social dhe të përfshirjes aktive të sindikatave në proceset konsultative dhe vendimmarrëse, me qëllim që zëri i punëmarrësve, shqetësimet dhe interesat e tyre të jenë pjesë e politikave dhe orientimeve që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit.
Këshilli Konsultativ Trepalësh Rajonal përbën një mekanizëm të rëndësishëm bashkëpunimi dhe dialogu, ku shkëmbimi i ideve dhe propozimeve konkrete shndërrohet në rekomandime për vendimmarrjen publike.
KSSH mbetet e angazhuar për forcimin e dialogut social, mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të punëmarrësve dhe ndërtimin e politikave që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe drejtësi sociale!


