INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

DEKLARATË PUBLIKE E KONFEDERATËS SË SINDIKATAVE TË SHQIPËRISË (KSSH)

 PROTESTA STUDENTORE NUK ËSHTË PRONË E PARTIVE POLITIKE !KUNDËR DHUNËS, MANIPULIMIT POLITIK DHE DEFORMIMIT TË SINDIKALIZMIT!
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh qëndrimin e saj të qartë dhe të palëkundur në mbrojtje të së drejtës kushtetuese për protestë, të kërkesave legjitime të studentëve dhe të parimeve të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe pavarësisë sindikale.
E drejta për të protestuar është e patjetërsueshme, por ajo nuk është licencë për dhunë, shkatërrim prone, sulme ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit apo cenim të të drejtave të qytetarëve të tjerë. Kushdo që kryen akte të tilla duhet të mbajë përgjegjësi individuale, në përputhje me ligjin dhe mbi bazën e provave. As statusi i studentit, as mosha e re, as bindjet politike dhe as përkatësia sindikale nuk përbëjnë imunitet ndaj ligjit.
Të kërkosh arsim cilësor, universitete funksionale, mirëqeverisje, drejtësi sociale dhe kushte më të mira jetese është një e drejtë demokratike dhe një kërkesë legjitime. Por hedhja e mjeteve të forta, përdorimi i mjeteve shpërthyese artizanale, djegia apo shkatërrimi i pronës dhe sulmi ndaj punonjësve të rendit nuk e forcojnë një kauzë qytetare. Përkundrazi, ato rrezikojnë ta zhvendosin vëmendjen nga kërkesat e studentëve te aktet e dhunës dhe përgjegjësia ligjore për to.
KSSH nuk pranon që pakënaqësia e studentëve të shndërrohet në instrument për kapital politik, pazare të çastit apo interesa të vjetra e të reja partiake apo sindikale. Asnjë parti politike, grup interesi, organizatë shoqërore, Sindikatë e pavarur apo e varur, apo individ nuk ka të drejtë të uzurpojë zërin e studentëve, të flasë në emër të tyre pa mandat dhe të imponojë mbi protestën një agjendë që nuk buron nga kërkesat e tyre të lira dhe të shprehura.
Ne e themi qartë: “mbështetja e protestës studentore nuk do të thotë mbështetje e dhunës; solidariteti nuk do të thotë nënshtrim ndaj agjendave partiake; sindikalizmi nuk është instrument i askujt për të destabilizuar institucionet apo për të prodhuar përplasje politike”.
Çdo Organizatë Siindikale që pretendon se mbron punëmarrësit dhe interesat shoqërore duhet të dëshmojë pavarësi, integritet dhe përgjegjësi publike. Sindikatat nuk mund të përdorin studentët si mbulesë për interesa të tjera dhe as të justifikojnë dhunën në emër të solidaritetit. Çdo pretendim për manipulim politik duhet të mbështetet në fakte konkrete, por asnjë lidhje politike, e vjetër apo e re, nuk mund të përdoret si justifikim për të cenuar autonominë e protestuesve.
KSSH u kujton të gjithë aktorëve se sindikalizmi i vërtetë nuk matet me numrin e përplasjeve, me ashpërsinë e retorikës apo me aftësinë për të nxitur tensione. Ai matet me rezultatet konkrete për punëtorët, me mbrojtjen e të drejtave, me negocimin kolektiv, me dialogun social dhe me aftësinë për të sjellë ndryshime të qëndrueshme. “Kush e zëvendëson dialogun me dhunën dhe solidaritetin me manipulimin, largohet nga thelbi i misionit sindikal”!
Në të njëjtën kohë, KSSH i kërkon qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse të mos fshihen pas incidenteve të dhunshme për të shmangur trajtimin e kërkesave reale të studentëve. Autoritetet kanë detyrimin të dëgjojnë, të përgjigjen me transparencë dhe të ndërtojnë një proces serioz dialogu me përfaqësuesit e studentëve. Ruajtja e rendit publik duhet të bëhet në përputhje me ligjin, me domosdoshmëri dhe proporcionalitet, duke garantuar sigurinë e qytetarëve dhe të drejtën për protestë paqësore.
Studentëve u themi: Mos lejoni që askush t’jua marrë kauzën, t’jua përdorë zemërimin dhe t’jua përcaktojë të ardhmen për interesa që nuk janë tuajat. Kërkesat tuaja duhet të dëgjohen, të shqyrtohen dhe të marrin përgjigje institucionale. Por forca e një lëvizjeje studentore qëndron te qartësia e kërkesave, organizimi demokratik, pjesëmarrja e lirë dhe qëndrueshmëria paqësore, jo te shkatërrimi dhe përplasja!
Historia e dhjetorit 1990 dhe roli i studentëve në përmbysjen e diktaturës mbeten pjesë e rëndësishme e kujtesës sonë demokratike. Respekti për atë histori kërkon të mbrojmë lirinë, pluralizmin, dinjitetin njerëzor dhe shtetin e së drejtës, jo ta përdorim historinë si alibi për përshkallëzim apo përvetësim politik të protestave të sotme.
KSSH do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e studentëve, të punëmarrësve dhe të çdo qytetari që kërkon ndryshim përmes mjeteve demokratike. Ne nuk do të heshtim përballë padrejtësisë, por as nuk do të pranojmë që dhuna të shitet si trimëri, manipulimi si solidaritet dhe interesi partiak si kauzë qytetare.
Qëndrimi ynë është i prerë:
– Protesta paqësore është e drejtë kushtetuese dhe duhet mbrojtur.!
– Dhuna, shkatërrimi i pronës dhe sulmet ndaj personave nuk justifikohen nga asnjë kauzë!
– Studentët nuk janë pronë e partive politike dhe protesta e tyre nuk duhet të instrumentalizohet!
– Sindikatat duhet të ruajnë pavarësinë, integritetin dhe përgjegjësinë e tyre publike!
– Qeveria dhe institucionet kanë detyrimin të dëgjojnë kërkesat legjitime dhe të ofrojnë zgjidhje përmes dialogut!
KSSH qëndron në krah të studentëve, por kundër dhunës. Në krah të të drejtave, por kundër manipulimit. Në krah të demokracisë, por kundër çdo përpjekjeje për ta kthyer protestën qytetare në instrument të interesave të ngushta politike!
“Dialogu nuk është dobësi. Pavarësia sindikale nuk është pazar. Dhe asnjë kauzë nuk është mbi ligjin”.!
KONFEDERATA E SINDIKATAVE TË SHQIPËRISË (KSSH).
Share