INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Asambleja Vendore e Qarkut Korçë: “Mobilizim sindika, punë dinjitoze dhe mbrojtje e të drejtave të punëtorëve”.

Sot në Korçë u zhvillua mbledhja e Asamblesë Vendore të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) për Qarkun Korçë , ku u analizua gjendja e lëvizjes sindikale në Korçë, Pogradec, Devoll dhe Ersekë, si dhe u përcaktuan objektivat afatshkurtra deri në fund të vitit dhe ato afatmesme për periudhën dyvjeçare.
Në fokus të diskutimeve ishin shqetësimet dhe kërkesat e punëmarrësve, të cilat lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e jetesës, dinjitetin në punë dhe garantimin e të drejtave sociale e ekonomike. Ndër prioritetet kryesore u evidentuan:
– Mirëqeverisja dhe përmirësimi i cilësisë së arsimit.
– Akses i barabartë dhe cilësor në shërbimet publike.
– Përmirësimi i transportit publik dhe ulja e çmimeve të karburanteve e produkteve ushqimore.
– Garantimi i pagës së trembëdhjetë.
– Reforma e sistemit të pensioneve dhe rritja e masës së tyre.
– Java pesëditore e punës, siguria dhe shëndeti në vendin e punës.
– Lufta kundër informalitetit dhe garantimi i marrëdhënieve të rregullta të punës.
Presidenti i KSSH-së, Kol Nikollaj, kërkoi rritjen e mobilizimit sindikal, forcimin e organizimit në bazë dhe decentralizimin e kompetencave, me qëllim fuqizimin e strukturave sindikale dhe rritjen e rolit të tyre në përfaqësimin e punëmarrësve.
Ai theksoi se sindikalistët duhet ta kapërcejnë frikën, të organizohen dhe të ngrenë zërin për të drejtat dhe liritë e tyre, duke e konsideruar protestën sindikale një instrument legjitim për mbrojtjen e interesave të punëtorëve dhe për kërkimin e përgjegjshmërisë institucionale.
Në qëndrimin e tij, Kol Nikollaj nënvizoi se : “KSSH kërkon ndryshim të qeverisjes, përmirësim të politikave publike dhe zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve dhe të punëmarrësve, jo aventura politike apo veprime të pakontrolluara që cenojnë stabilitetin demokratik “. Ai u distancua nga lëvizjet pa organizim, pa kërkesa të qarta dhe pa mekanizma komunikimi e dialogu, duke theksuar se protesta duhet të ketë objektiva të artikuluara, përgjegjësi dhe orientim të qartë drejt demokracisë, shtetit të së drejtës dhe integrimit europian.
KSSH riafirmon misionin e saj si organizatë sindikale e pavarur, e organizuar dhe përfaqësuese e interesave të punëmarrësve shqiptarë, duke mbrojtur përmes dialogut social, organizimit dhe veprimit sindikal të drejtat ekonomike e sociale, si dhe kërkesën për punë të denjë, paga të drejta dhe jetesë dinjitoze për çdo punëtor shqiptar.!
Në përfundim të mbledhjes, Asambleja Vendore e KSSH-së për Qarkun Korçë rizgjodhi në detyrën e koordinatorit të KSSH-së për këtë qark Dr. Ergi Kafazin , mjek i nderuar, sindikalist me përvojë dhe me kontribute shumëvjeçare në lëvizjen sindikale.
Kjo zgjedhje shpreh besimin te vazhdimësia, përvoja dhe forcimi i organizimit sindikal në të gjithë rajonin.
KSSH – zëri i punëmarrësve, forca e organizimit sindikal dhe mbrojtja e të drejtave për një jetë më dinjitoze!**
Share