INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

ITUC vlerëson angazhimin e KSSH-së dhe Rrjetit të saj Rinor në Ditën Botërore për Punë të Denjë.

ITUC VLERËSON ANGAZHIMIN E KSSH-SË DHE RRJETIT TË SAJ RINOR NË DITËN BOTËRORE PËR PUNË TË DENJË!
Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave (ITUC) ka pasqyruar në kanalin e saj zyrtar “X” aktivitetin e organizuar nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), përmes Rrjetit të saj Rinor, më 7 tetor 2026, në kuadër të Ditës Botërore për Punë të Denjë.
Ky pasqyrim përbën një vlerësim të rëndësishëm për angazhimin e KSSH-së në fuqizimin e rolit të të rinjve në lëvizjen sindikale, promovimin e organizimit kolektiv dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në proceset vendimmarrëse.
Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e të rinjve sindikalistë, nën kujdesin e Presidentit të KSSH-së, Kol Nikollaj, dhe përfshiu prezantimin e studiuesit Neshat Zeneli, me temë “Puna e denjë dhe të rinjtë në Shqipëri”, ku u trajtuan sfidat e punësimit, pagat, siguria në punë dhe perspektivat profesionale të brezit të ri.
Një moment i rëndësishëm ishte edhe pjesëmarrja e KSSH-së në dialogun online me ITUC, në kuadër të të cilit KSSH pati mundësinë të përcillte paraprakisht, përmes komunikimit zyrtar me email, disa pyetje dhe çështje për diskutim, të lidhura drejtpërdrejt me realitetin e të rinjve shqiptarë.
– Punësimi dhe emigracioni i të rinjve: Nevoja për politika konkrete që integrimi europian i Shqipërisë të shoqërohet me krijimin e vendeve të denja të punës në vend, paga të drejta dhe perspektiva të qëndrueshme për të rinjtë.
– Inteligjenca Artificiale dhe transformimi digjital: Roli i sindikatave në mbrojtjen e punonjësve të rinj nga rreziqet e automatizimit, si dhe garantimi i aksesit në kualifikim, arsimim dhe formim profesional të vazhdueshëm.
– Integrimi europian dhe të drejtat e punëtorëve: Rëndësia e forcimit të standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë, përmirësimit të pagave, garantimit të kontratave të qëndrueshme dhe mbrojtjes së të drejtave të të rinjve në tregun e punës.
– Strehimi i përballueshëm dhe drejtësia sociale: Nevoja për politika sindikale dhe sociale që adresojnë vështirësitë e të rinjve për strehim, akses në arsim cilësor, shërbime publike dhe mundësi reale për një jetë dinjitoze.
KSSH shpreh mirënjohjen e saj ndaj ITUC për bashkëpunimin, mundësinë e pjesëmarrjes në këtë dialog ndërkombëtar dhe pasqyrimin e aktivitetit të Rrjetit Rinor të KSSH-së në komunikimin e saj zyrtar.
Ky bashkëpunim rikonfirmon rëndësinë e solidaritetit sindikal ndërkombëtar dhe angazhimin e vazhdueshëm të KSSH-së në kuadër të ITUC/PERC për promovimin e punës së denjë, demokracisë dhe përfaqësimit efektiv të brezit të ri.
Të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja e sindikatave. Ata janë një forcë aktive e lëvizjes sindikale që sot!
(linku i postimit të ITUC – https://x.com/ituc/status/2109896421180621268)
Share