INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Prononcim i KSSH-së për aksidentet e përsëritura në punë në sektorin elektroenergjitik.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe të afërmit e punonjësit Agim Beqiri, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës në riparimin e një defekti në rrjetin elektrik në fshatin Gështenjas, Pogradec.
Ky është një tjetër aksident tragjik që i shtohet serisë së ngjarjeve të rënda të ndodhura së fundmi në sektorin elektroenergjetik. Përsëritja e këtyre aksidenteve është alarm serioz dhe tregon se masat parandaluese për sigurinë dhe shëndetin në punë nuk po funksionojnë në nivelin e kërkuar.
Energjitika është një nga profesionet me riskun më të lartë dhe kërkon respektim rigoroz të çdo rregulli të sigurisë në punë. Çdo neglizhencë, mungesë investimi apo moszbatim i procedurave mund të ketë pasoja fatale për jetën e punonjësve.
KSSH kërkon një angazhim shumë më të madh nga punëdhënësit publikë dhe privatë për të parandaluar rrezikun në vendin e punës. Kompanitë duhet të garantojnë vende pune të sigurta, të pajisin punonjësit me mjetet e nevojshme të punës dhe me pajisje mbrojtëse personale cilësore, të sigurojnë zbatimin rigoroz të procedurave teknike dhe të investojnë vazhdimisht në trajnimin e punonjësve për sigurinë në punë.
Njëkohësisht, KSSH kërkon që organet kompetente të zhvillojnë hetime të plota, transparente dhe profesionale për çdo aksident në punë, duke nxjerrë përgjegjësi konkrete administrative dhe penale ndaj çdo subjekti apo individi që ka shkelur ligjin apo ka neglizhuar detyrimet për mbrojtjen e jetës së punonjësve.
KSSH shpreh shqetësimin e saj për mungesën e kontrolleve efektive nga Inspektoriati Shtetëror i Punës, veçanërisht në sektorin publik dhe në kompanitë shtetërore. Është e papranueshme që standardet ligjore të mos zbatohen me të njëjtën ashpërsi ndaj çdo punëdhënësi. Ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë, pa ndikime apo ndërhyrje politike.
Po aq i rëndësishëm është forcimi i rolit të Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në çdo ndërmarrje, zbatimi i plotë i kontratës kolektive të punës dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet punëdhënësve dhe strukturave sindikale përfaqësuese të KSSH-së. Sindikata duhet të ketë një rol real në vendimmarrje për çështjet që lidhen me sigurinë në punë dhe të ketë akses në informacionin e nevojshëm për identifikimin dhe parandalimin e rreziqeve.
KSSH rithekson se mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punonjësve nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një përgjegjësi morale dhe institucionale që nuk mund të neglizhohet. Çdo aksident i parandaluar do të thotë një jetë e shpëtuar.
KSSH do të vazhdojë të kërkojë forcimin e mekanizmave të kontrollit, zbatimin pa kompromis të legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe dialog social efektiv, me qëllim që tragjedi të tilla të mos përsëriten më.
Share