Në këtë tryezë konsultimi morën pjesë Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enea Karakaçi, përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, përfaqësues të institucioneve publike, ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile, të cilët diskutuan mbi projektligjin që synon harmonizimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e shërbimeve digjitale.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) u përfaqësua nga Presidenti Kol Nikollaj dhe Zv.Presidentja Anisa Subashi, e cila është gjithashtu personi i ngarkuar nga KSSH për ndjekjen e proceseve integruese të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë diskutimeve u evidentua rëndësia e krijimit të një mjedisi digjital më të sigurt, transparent dhe të besueshëm, me mbrojtje më të fortë për përdoruesit dhe konsumatorët, si dhe roli i këtij projektligji në avancimin e transformimit digjital dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendit.
Për KSSH-në, harmonizimi i legjislacionit me acquis të Bashkimit Evropian duhet të garantojë gjithashtu mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve në ekonominë digjitale, promovimin e dialogut social dhe përfshirjen e partnerëve socialë në hartimin e politikave që ndikojnë në botën e punës.
KSSH mbetet e angazhuar për të kontribuar në proceset e reformimit dhe integrimit evropian të Shqipërisë, duke mbështetur politika që ndërthurin zhvillimin digjital me standardet sociale dhe të drejtat e punëmarrësve.


