INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Deklaratë e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH).

Sulmi ndaj lirisë sindikale në “Postën Shqiptare “ sh.a. është sulm ndaj demokracisë, dialogut social dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) dënon me vendosmëri ndërhyrjen e papranueshme të Drejtorit të Përgjithshëm të “Postës Shqiptare “Sh.A. në organizimin sindikal të punëmarrësve dhe shpreh mbështetjen e saj të plotë për Federatën Sindikale të Transportit dhe Telekomunikacionit, organizatë anëtare e KSSH-së dhe nënshkruese legjitime e Kontratës Kolektive të Punës në këtë ndërmarrje.
Sipas informacioneve dhe denoncimeve të mbërritura pranë KSSH-së, drejtues të Postës Shqiptare po ushtrojnë presion mbi punonjësit për të hequr dorë nga anëtarësia në organizatën sindikale që i përfaqëson dhe për t’u anëtarësuar në një organizatë tjetër, e cila, për nga mënyra e funksionimit dhe lidhjet e saj politike, nuk garanton pavarësinë sindikale, por shërben si instrument për dobësimin e përfaqësimit të vërtetë të punëmarrësve.
Në një shtet demokratik, punëdhënësi nuk zgjedh sindikatën e punëmarrësve. Aq më pak mund ta bëjë këtë një drejtues i një shoqërie publike, i cili administron pasuri publike dhe është i detyruar të zbatojë ligjin dhe jo interesa politike.
KSSH e konsideron këtë një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në lirinë sindikale, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin e Punës, Konventën Nr. 87 të ILO-së “Për Lirinë Sindikale dhe Mbrojtjen e së Drejtës për Organizim” dhe Konventën Nr. 98 “Për të Drejtën e Organizimit dhe Negociatave Kolektive”, të ratifikuara nga Shqipëria dhe pjesë e detyrimeve të saj ndërkombëtare.
Është veçanërisht shqetësues fakti që këto veprime favorizojnë një organizatë sindikale, drejtuesi i së cilës ka qenë kandidat për deputet i Partisë Socialiste ne Qarkun e Fierit.Kjo ngre pikëpyetje serioze mbi përdorimin e ndërmarrjeve publike për të ndikuar në jetën sindikale dhe për të ndërtuar struktura të varura politikisht, në kundërshtim me çdo standard europian të dialogut social.
KSSH i drejtohet publikisht Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe ministrit përgjegjës për ndërmarrjet publike: nëse Qeveria nuk distancohet menjëherë nga këto praktika dhe nuk merr masa për ndalimin e tyre, përgjegjësia nuk mbetet vetëm individuale. Ajo bëhet përgjegjësi politike dhe institucionale e vetë qeverisë.
Nuk mund të pretendohet hapja dhe mbyllja me sukses e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian, ndërkohë që në ndërmarrjet publike cenohen liritë themelore sindikale, pengohen negociatat kolektive dhe ushtrohet presion mbi punëmarrësit për shkak të përkatësisë së tyre sindikale.
Respektimi i të drejtave të punës dhe funksionimi i dialogut social janë pjesë e kritereve themelore të shtetit të së drejtës dhe të acquis communautaire që Shqipëria është e detyruar të zbatojë.
KSSH do t’i drejtohet zyrtarisht Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Komisionit Europian, Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), Zyrës ACTRAV, Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave (ITUC), Konfederatës Evropiane të Sindikatave (ETUC), si dhe të gjitha federatave ndërkombëtare partnere, duke kërkuar monitorimin dhe trajtimin e këtij rasti si një shkelje serioze të standardeve ndërkombëtare të punës dhe të angazhimeve që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të integrimit europian.
Paralelisht, KSSH do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, institucionale dhe sindikale në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Askush nuk mund të përdorë pushtetin administrativ për të imponuar bindjen sindikale të punëmarrësve. Askush nuk është mbi ligjin.
KSSH u bën thirrje të gjithë punonjësve të Postës Shqiptare të mos u nënshtrohen presioneve dhe të denoncojnë çdo rast intimidimi, kërcënimi apo detyrimi për të ndryshuar përkatësinë e tyre sindikale. Çdo dëshmi do të trajtohet me përgjegjësi dhe do të shërbejë si bazë për ndjekjen e të gjitha rrugëve ligjore dhe ndërkombëtare.
KSSH deklaron qartë se liria sindikale nuk negociohet. Ajo nuk jepet me leje nga qeveria, nga drejtuesit e ndërmarrjeve publike apo nga forcat politike. Ajo është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta, ligji dhe konventat ndërkombëtare. Çdo përpjekje për ta cenuar do të përballet me reagimin e vendosur të lëvizjes sindikale shqiptare dhe të partnerëve tanë europianë e ndërkombëtarë.
Share