Sot, në selinë e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) në Bruksel, u zhvillua Debati i Nivelit të Lartë mbi Zgjerimin e Bashkimit Evropian (EU High-Level Debate on Enlargement), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve evropiane, vendeve kandidate, partnerëve socialë dhe organizatave të shoqërisë civile.
Në këtë aktivitet mori pjesë Anisa Subashi Zëvendës Presidente e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) si dhe Sekretare e Përgjithshme e Federatës së Sindikatave të Administratës Publike dhe Shërbimit Civil të Shqipërisë (FSAPSHCSH), në cilësinë e Anëtares Kandidate të Zgjerimit të EESC, duke përfaqësuar KSSH-në në diskutimet mbi rolin e dialogut social dhe të partnerëve socialë në procesin e integrimit evropian.
Në fjalën e saj, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe prosperitetin e kontinentit. Ajo nënvizoi se procesi i anëtarësimit nuk kufizohet vetëm në përmbushjen e kritereve teknike, por kërkon reforma të thella në shtetin e së drejtës, demokraci funksionale, ekonomi konkurruese dhe përfshirje aktive të partnerëve socialë dhe shoqërisë civile. Komisionerja Kos vlerësoi se dialogu social dhe pjesëmarrja e organizatave sindikale janë elemente kyçe për ndërtimin e një Evrope më të fortë, më gjithëpërfshirëse dhe më konkurruese.
Gjatë debatit u trajtuan gjithashtu sfidat dhe mundësitë që sjell procesi i zgjerimit për vendet kandidate, rëndësia e përshpejtimit të reformave dhe nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve evropiane, partnerëve socialë dhe shoqërisë civile.
Pjesëmarrja e KSSH-së në këtë aktivitet riafirmon angazhimin e saj për të kontribuar aktivisht në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe për të promovuar rolin e dialogut social dhe të lëvizjes sindikale në përmbushjen e standardeve evropiane.


