Federata e Transportit dhe Telekomunikacionit të Shqipërisë pranë KSSH-së, pati kënaqësinë të mirëpriste një delegacion të nivelit të lartë të Federatës Ndërkombëtare të Punëtorëve të Transportit (ITF), të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm Stephen Cotton, anëtari i Bordit Ekzekutiv Neven Leven dhe Inspektori i ITF-së Romano Perić.
Delegacioni e nisi vizitën në Shtëpinë e Sindikatave, ku u prit nga Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), Kol Nikollaj, si dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Transportit dhe Telekomunikacionit të Shqipërisë, Tonin Gjinaj, së bashku me stafin e Federatës.
Më pas u zhvilluan takime me Drejtorin e Përgjithshëm të DPSHTRR-së, Kreshnik Bajraktari, si dhe me Zëvendësministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkeleda Muça. Delegacioni vizitoi gjithashtu ambientet e punës në DPSHTRR, ku u njoh nga afër me veprimtarinë dhe kushtet e punës së punonjësve.
Nesër, vizita do të vijojë në Portin e Durrësit, ku delegacioni do të takohet me autoritetet portuale dhe me ekuipazhin e anijes “Ayla Zanubia”. Më pas, delegacioni do të udhëtojë drejt Portit të Shëngjinit, ku do të zhvillojë një takim me ekuipazhin e anijes Besart, në vijim të angazhimit të ITF-së për mbështetjen dhe mbrojtjen e të drejtave të detarëve dhe punonjësve të transportit detar.


