KSSH mbështet dhe solidarizohet me punonjësit e ASHK-Vlorë.
Konfederata e Sindikatave Shqiptare (KSSH) shpreh shqetësimin e saj serioz lidhur me vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për mbylljen e strukturave vendore të ASHK-së në Vlorë dhe transferimin e shërbimeve në Tiranë, vendim që hyn në fuqi më 1 shkurt 2026.
Sipas informacionit zyrtar, punonjësit janë njoftuar për këtë vendim më 23 janar, ndërkohë që sot është formalizuar mbyllja e strukturave vendore në Vlorë. KSSH vëren se ky proces është ndërmarrë pa një dialog social të mirëfilltë, pa konsultim paraprak me punonjësit dhe përfaqësuesit e tyre sindikalë, si dhe pa transparencë të plotë mbi pasojat reale që ky transferim sjell për stafin dhe për shërbimin ndaj qytetarëve.
KSSH mbështet shqetësimet e ngritura nga punonjësit e ASHK-Vlorë, të cilët në mënyrë të arsyetuar kundërshtojnë zhvendosjen, duke theksuar se transferimi i funksioneve dhe i shqyrtimit të dosjeve të pronave në Tiranë do të krijojë vështirësi serioze profesionale, sociale dhe familjare për stafin, si dhe do të cenojë vijimësinë dhe cilësinë e shërbimit publik në nivel vendor.
Konfederata rikujton se çdo vendim që prek marrëdhëniet e punës duhet të respektojë legjislacionin në fuqi, përfshirë Kodin e Punës dhe parimet e dialogut social, proporcionalitetit dhe sigurisë në punë.
Argumentet e “përmirësimit të organizimit të punës” dhe “rritjes së eficencës” duhet të shoqërohen me analiza konkrete, të matshme dhe të diskutuara me palët e interesuara.
KSSH i bën thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës, Kryeministrisë dhe institucioneve përgjegjëse që:
-të pezullojnë zbatimin e vendimit deri në përfundimin e një procesi konsultimi të hapur dhe të sinqertë;
-të garantojnë se të drejtat e punonjësve nuk do të cenohen;
-të shqyrtojnë alternativa që mundësojnë vijimin normal të funksionimit të ASHK Vlorë në qytet, në interes të punonjësve dhe të qytetarëve.
KSSH riafirmon angazhimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve, për forcimin e dialogut social dhe për respektimin e ligjit si themel i çdo reforme në administratën publike.


