Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh indinjatën dhe revoltën e saj të thellë për humbjen tragjike të jetës së punëtorit Astrit Hysenaj, 54 vjeç, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh në Bashkinë Durrës, i cili humbi jetën gjatë ushtrimit të detyrës në kushte ekstreme përmbytjesh.
KSSH e konsideron cinike, të papërgjegjshme dhe moralisht të papranueshme çdo deklaratë që tenton të relativizojë përgjegjësinë institucionale për këtë ngjarje të rëndë.
Jeta e një punëtori nuk është statistikë dhe as justifikim për paaftësinë e pushtetit vendor dhe qendror.
Duam ta bëjmë të qartë:
Koha e udhëtimit për në punë dhe kthimi nga puna, sipas legjislacionit të punës dhe praktikës ndërkombëtare, njihet si kohë pune, dhe çdo ngjarje e ndodhur gjatë kësaj kohe apo gjatë ushtrimit të detyrës përbën aksident në punë.
Në këtë rast, shteti dhe punëdhënësi janë drejtpërdrejt përgjegjës.
Ngjarja tragjike nxjerr në pah:
1- Mungesë të theksuar organizimi dhe menaxhimi nga drejtuesit e ndërmarrjes dhe strukturat e Bashkisë Durrës.
2- Dërgimin e punëtorëve në terren pa vlerësim real të rrezikut, pa protokolle sigurie dhe pa masa mbrojtëse.
3- Trajtimin e punëtorëve të pastrimit dhe gjelbërimit si fuqi punëtore e konsumueshme, pa dinjitet dhe pa mbrojtje.
KSSH kërkon që organet e Prokurorisë të ndalojnë shfaqjet mediatike dhe të veprojnë urgjentisht për nxjerrjen e përgjegjësive penale, nga drejtuesit e ndërmarrjes deri tek autoritetet vendore dhe institucionale që kanë dështuar në detyrimin e tyre ligjor për mbrojtjen e jetës së punëtorëve.
Inspektoriati Shtetëror i Punës dëshmoi edhe një herë:
indiferencë,
paaftësi profesionale,
varësinë politike,
dhe prani të segmenteve të korruptuara që nuk ushtrojnë kontroll real në terren.
Ky institucion ka dështuar të parandalojë humbjen e jetës së punëtorëve dhe mban përgjegjësi morale dhe ligjore për mosveprimin e tij.
KSSH kërkon:
Njohjen zyrtare të ngjarjes si aksident në punë.
Përfitimin e plotë ligjor dhe financiar të familjes së viktimës, si dhe mbështetje sociale afatgjatë.
Vendosjen e përgjegjësisë administrative dhe penale për çdo hallkë që ka dështuar.
Rikthimin e dinjitetit të punëtorëve të pastrimit dhe gjelbërimit, përmes kushteve dinjitoze të punës, pajisjeve mbrojtëse dhe protokolleve të sigurisë.
KSSH u bën thirrje të gjitha sindikatave:
-të jenë pranë punëtorëve në këto ditë të vështira,
-të mos heshtin,
–të veprojnë dhe të ushtrojnë presion institucional për përmirësimin real të kushteve të punës.
Humbja e jetës së Astrit Hysenajt nuk duhet dhe nuk do të kalojë në heshtje.
Përgjegjësia duhet të ketë emër dhe mbiemër.
Jeta e punëtorit është e shenjtë.
Presidenti i KSSH-së
Kol Nikollaj


