Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA), zhvilloi sot sesionin informues me temë: “Rruga drejt BE-së: Procesi i Zgjerimit, Negociatat dhe Mundësitë për Angazhim”. Pjesëmarrja përfshiu drejtues të KSSH-së, si edhe përfaqësues të sindikatave të sektorëve të ndryshëm nga i gjithë vendi (anëtare të KSSH-së).
Në hapje të aktivitetit, Presidenti i KSSH-së, Z.Kol Nikollaj, theksoi rëndësinë e përfshirjes së plotë të sindikatave në procesin e integrimit europian, duke nënvizuar se lëvizja sindikale duhet të jetë një aktor aktiv, i informuar dhe i angazhuar në të gjitha fazat e këtij procesi.
Nga ana e tij, Z.Gledis Gjipali, Drejtor i EMA-s, vlerësoi bashkëpunimin me KSSH-në dhe rëndësinë e këtyre sesioneve informuese për të afruar procesin e anëtarësimit me grupet kryesore të interesit.
Gjatë sesionit, stafi i EMA prezantoi tre module tematike që trajtuan:
- historikun e Bashkimit Europian, etapat e integrimit dhe sfidat kryesore politike e ekonomike;
- politikën e zgjerimit të BE-së, dokumentet themelore të negociatave dhe progresin e Shqipërisë në këtë proces;
- rolin e aktorëve jo-shtetërorë, përfshirë sindikatat, në konsultimet, monitorimin dhe vendimmarrjen për integrimin europian.
Pjesëmarrësit zhvilluan diskutime të thelluara mbi mënyrat praktike të rritjes së angazhimit të sindikatave në proceset e integrimit, forcimin e kapaciteteve të tyre për dialog social, si dhe nevojën për mekanizma të rinj që sigurojnë që zëri i punonjësve të jetë i pranishëm në proceset vendimmarrëse.


