Sekretari i Përgjithshëm i FSPTTSH-së, Z.Tonin Gjinaj, zhvilloi një takim pune me punonjësit e Postës Shqiptare në Shkodër, ku u prit nga Drejtuesja e Filialit të Postës Shkodër, Znj.Admiranda Tafa, në takim morën pjesë edhe përgjegjësit e filialeve të Pukës Elmerinda Dodaj dhe Malësisë së Madhe Saimond Rexhaj.
Gjatë takimit u trajtuan një sërë problematikash të rëndësishme që prekin çdo ditë punonjësit e postës në këto zona, ndër të cilat:
– Pagat e ulëta dhe mungesa e shpërblimeve motivuese
– Mungesa e mjeteve logjistike dhe materiale për përmbushjen e detyrave të përditshme
– Vështirësi territoriale për postierët, sidomos në zonat e thella malore
– Vështirësi në njohjen e vjetërsisë dhe arsimit në kategorizimin dhe pagesën e punonjësve
– Presion i vazhdueshëm dhe mungesë sigurie në vendin e punës
– Mungesë e respektimit të të drejtave sindikale dhe nevojë për dialog social të qëndrueshëm
Z. Gjinaj bëri thirrje për përfshirjen dhe afrimin e të rinjve në Federatë, duke theksuar rolin e rëndësishëm të brezit të ri në forcimin dhe vazhdimësinë e lëvizjes sindikale.
Ai rikonfirmoi mbështetjen e pakushtëzuar të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) dhe të Presidentit të saj, Z.Kol Nikollaj, në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimin e kushteve të tyre.
Të gjitha problematikat e evidentuara gjatë këtij takimi dhe në filiale të tjera do të përmblidhen dhe do t’u adresohen së shpejti autoriteteve përkatëse, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve konkrete dhe afatshkurtra.
FSPTTSH mbetet e përkushtuar të jetë zëri i punonjësve, duke punuar çdo ditë me përkushtim dhe solidaritet për një të ardhme më të drejtë dhe dinjitoze për të gjithë.


