INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Prononcim I Presidenti te KSSH, Z Kol Nikollaj per Revisten Ekonomike “Monitor”.! Revista “Monitor”

Në vitin 2019, u miratua ligji për pensionet suplementare të individëve që punojnë në një grup profesionesh të vështira, si industria minerare, ajo e nxjerrjes së naftës dhe metalurgjia. Por, megjithëse kanë kaluar pesë vjet, ligji po zbatohet pak ose aspak dhe kontributet për përfitimin e pensioneve shtesë nga këto kategori nuk po derdhen. Problemi duket të jetë mungesa e një strukture që duhet ta bëjë të zbatueshëm detyrimin për derdhjen e këtyre kontributeve.
Sindikatat: Nuk ka vullnet për ta zbatuar këtë ligj
Kol Nikollaj, President i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, shprehet se nga institucionet mungon vullneti për ta zbatuar këtë ligj.
“Ne vërejmë se ka mungesë totale të dëshirës për ta zbatuar këtë ligj. Nëse ky ligj nuk zbatohet, shumë shpejt do të ballafaqohemi me të njëjtat situata që po shohim sot tek ish-naftëtarët apo ish-gjeologët, etj.
Nga informacionet jozyrtare që kemi, nga 10-12 mijë minatorë që punojnë në miniera, kontributi derdhet për më pak se 2 mijë prej tyre.
Në industrinë e naftës, gjendja është pak më e mirë, duke qenë se në përgjithësi, aty veprojnë kompani të mëdha huaja, që janë më serioze në zbatimin e detyrimeve ligjore.
Në sektorin e kromit dhe të bakrit, me sa dimë ne, përkatësisht vetëm një kompani i paguan kontributet shtesë, ndërsa të tjerat nuk i paguajnë. Kjo do të ketë pasoja për ta në të ardhmen”, thotë ai.
Sipas tij, arsyeja kryesore pse kjo ndodh është që në Shqipëri, kultura e zbatimit të ligjit vazhdon të jetë e dobët.
“Strukturat ligjzbatuese në kontrollet e tyre mjaftohen me pagesën e normës së detyrueshme ligjore të kontributeve për pensionin bazë, por vërejmë se nuk ka shumë kontrolle për zbatimin e legjislacionit të posaçëm, siç është ligji në fjalë.
Ana tjetër e medaljes është se vetë punëdhënësit janë pak të ndërgjegjshëm se ligji duhet zbatuar dhe se të drejtat e punonjësve duhen respektuar.
Vetëm në vitet e fundit, në disa sektorë po e kuptojnë rëndësinë e burimeve njerëzore dhe forcës së punës”, – shprehet z. Nikolla.
Lidhur me numrin e punonjësve që duhet të përfitojnë nga ky ligj, ai vëren se shifrat zyrtare këtu te ne nuk janë shumë të sakta.
Megjithatë, nga të dhënat dytësore të KSHS, vlerësohet se në momentin e miratimit të ligjit mund të kenë qenë rreth 17 mijë punonjës që ishin objekt i këtij ligji, ndërsa aktualisht, ky numër është ulur, mund të jetë në rreth 14 mijë punonjës.
Pjesë e problemit, sipas z. Nikolla, është edhe mungesa e kontratave kolektive të punës dhe mungesa e një roli efikas të sindikatave. Në mungesë të sindikatave të forta, presioni mbi punëdhënësit për të zbatuar detyrimet ligjore natyrisht që është më i vogël.
“Nëse nuk bëhet një ligj i mirëfilltë për sindikatat dhe kontratat kolektive, në mënyrë që të ekzistojë një kontratë kolektive për të gjithë punonjësit e një sektori, për shembull të minierave.
Në këtë kontratë kolektive, përcaktohen edhe kriteret që duhen respektuar. Qeveria qëllimisht nuk i bën të detyrueshme kontratat profesionale, duke i anashkaluar sindikatat dhe duke dobësuar mundësitë e tyre për të ushtruar rol efektiv në mbrojtje të punonjësve. Mund të jemi i vetmi shtet që nuk kemi rregulla loje.
Një sindikatë mund ta bësh me 20 vetë, ose me 100 mijë vetë. Kemi mbi 200 sindikata të regjistruara, por realisht asnjëra nuk ka mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e punonjësve.
Në vitet e fundit, shumë kompani po krijojnë sindikata duke i lënë në duar të punonjësve të besuar dhe natyrisht që këto sindikata u shërbejnë më shumë punëdhënësve, sesa punëmarrësve”.

Share