INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Vizitë dhe takim ndërmjet Lidershipit të ÖGB-së dhe Presidencës Ekzekutive të KSSH.

Vizitë dhe takim ndërmjet Lidershipit të Konfederatës Sindikale Austriake (ÖGB), kryesuar nga Z.Wolfgang Katzian, President i ÖGB dhe njëherësh President i Konfederatës Evropiane të Sindikatave (ETUC) dhe Presidencës Ekzekutive të KSSH.

Në selinë qendrore të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) në Tiranë, u zhvillua një takim zyrtar i nivelit të lartë ndërmjet Presidencës Ekzekutive të KSSH-së dhe drejtuesve të ÖGB, Z.Wolfgang Katzian, President i ÖGB dhe njëherësh President i Konfederatës Evropiane të Sindikatave (ETUC), Z.David Hafner, Shef i Zyrës së ÖGB në Bruksel, si dhe Z.Marcus Strohmeier, Shef i Politikave Ndërkombëtare të ÖGB.

Delegacioni i OGB dhe ETUC u prit nga Presidenti i KSSH, Z.Kol Nikollaj, së bashku me anëtarët e Presidencës Ekzekutive, në një ceremoni të ngrohtë dhe miqësore.
Presidenti Nikollaj falënderoi kolegët austriakë për vizitën dhe solidaritetin e treguar ndër vite, duke theksuar rëndësinë e kësaj vizite për forcimin e marrëdhënieve sindikale ndërkombëtare dhe për mbështetjen që KSSH merr në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Në vijim, përfaqësuesit e KSSH-së paraqitën një panoramë të gjerë të veprimtarisë së organizatës, duke evidentuar punën e bërë në demokratizimin dhe fuqizimin e strukturave sindikale, rritjen e kapaciteteve organizative, zhvillimin e dialogut social në nivel kombëtar dhe sektorial, si dhe mbrojtjen e pavarësisë politike e ekonomike të lëvizjes sindikale. U theksua gjithashtu bashkëpunimi i KSSH-së me të gjitha partitë politike, shoqërinë civile dhe organizatat progresiste brenda e jashtë vendit, si dhe përpjekjet e saj për rritjen e imazhit publik dhe konsolidimin e rolit përfaqësues.

Përfaqësuesit e OGB dhe ETUC vlerësuan maksimalisht reformat dhe arritjet e KSSH-së gjatë dekadës së fundit, duke e cilësuar atë një sindikatë moderne, të konsoliduar, me përfaqësim të gjerë dhe një aktor të rëndësishëm në zhvillimet demokratike të vendit. Ata u shprehën të impresionuar nga angazhimi i KSSH-së në përfshirjen e të rinjve dhe grave në udhëheqje, nga qasja progresive në trajtimin e çështjeve të punës, si dhe nga kontributi i saj i drejtpërdrejtë në procesin integrues të Shqipërisë në BE, etj.

Share