INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Tubimi paqësor i Minatorëve të Minierës së Bakrit në Spaç.

Më datë 30, minatorët e Spaçit zhvilluan një tubim dhe marshim paqësor, duke u grumbulluar në orën 09:00 pranë monumentit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Prej andej, ata marshuan drejt Kuvendit të Shqipërisë për të sensibilizuar opinionin publik dhe institucionet mbi situatën e rëndë me të cilën po përballen.

Përmes kësaj proteste, minatorët ngritën zërin kundër një punëdhënësi shtypës dhe shfrytëzues, me sjellje problematike dhe veprime të paligjshme në marrëdhënie si me punëmarrësit, ashtu edhe me shtetin shqiptar, duke kërkuar vëmendje dhe përgjegjësi institucionale për shkeljet e konstatuara.

Në orën 12:00 u zhvillua një tubim para Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, si institucioni përgjegjës për marrëdhëniet e punës. Në këtë kuadër, përfaqësuesit ligjorë të sindikatës dhe të komisionit të grevës u pritën nga Ministrja znj. Ibrahimi, e cila u angazhua për vendosjen e urave të dialogut dhe për nxitjen e palëve drejt arritjes së një marrëveshjeje, me synim mbylljen e grevës dhe rikthimin e normalitetit.

Minatorët shprehën gatishmëri të plotë për dialog të barabartë, të ndershëm dhe transparent, të mbështetur në legjislacionin shqiptar dhe në standardet e Bashkimit Europian. Kërkesa e tyre kryesore mbetet rikthimi në gjendjen fillestare të marrëdhënieve të punës: 76 minatorë në grevë – 76 minatorë në punë, pa përjashtime dhe pa penalizime.

Po ashtu, u kërkua heqja dorë nga çdo formë kërcënimi, shantazhi, si dhe nga çdo proces gjyqësor apo policor i inskenuar gjatë ditëve të grevës. Minatorët kërkojnë uljen në dialog si palë e barabartë, të përfaqësuar nga sindikata e tyre e zgjedhur me vullnet të lirë dhe në përputhje të plotë me procedurat ligjore në fuqi.

Ky proces shënon një hap të rëndësishëm drejt nisjes së dialogut, negociimit dhe partneritetit social, si dhe drejt ndërtimit të besimit të ndërsjellë ndërmjet minatorëve si punëmarrës dhe kompanisë “Tete Albania Mining & Tunnel” si punëdhënëse.

Share