INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Takim ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Z.Edi Rama, me Delegacionin e përbashkët sindikal të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) dhe Konfederatës Sindikale Austriake (ÖGB).

Delegacioni sindikal shqiptar u përfaqësua nga Presidenti i KSSH-së, Z.Kol Nikollaj, dhe Zëvendës Presidentja, Znj.Anisa Subashi, ndërsa pala austriake u kryesua nga Z.Wolfgang Katzian, President i ÖGB dhe njëherësh President i Konfederatës Evropiane të Sindikatave (ETUC), i shoqëruar nga Z.David Hafner, Shef i Zyrës së ÖGB në Bruksel, si dhe Z.Marcus Strohmeier, Shef i Politikave Ndërkombëtare të ÖGB.

Në takim morën pjesë edhe Znj.Majlinda Dhuka, Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Znj.Delina Ibrahimi, Ministre e Sipërmarrjes, Znj.Olta Manjani, Zv.Ministre e MEKI, si dhe këshilltari i Kryeministrit, Z.Ervin Mete.

Diskutimet u fokusuan në rolin e sindikatave në proceset integruese të Shqipërisë drejt BE, ku u theksua domosdoshmëria e forcimit të partneritetit midis qeverisë dhe sindikatave, si dhe zhvillimi i dialogut social në të gjitha nivelet. U ngritën çështje me prioritet të lartë si rritja e pagave dhe pensioneve, përmirësimi i kushteve dhe sigurisë në punë, forcimi i mekanizmave për luftën kundër informalitetit dhe korrupsionit, si edhe nevoja e hartimit të një ligji të posaçëm për rregullimin e procedurave dhe veprimtarisë sindikale në vend.

Një vend të rëndësishëm në diskutim zuri edhe mundësia e transformimit të Këshillit Kombëtar të Punës në një Këshill Ekonomik e Social me kompetenca më të zgjeruara, duke garantuar përfshirjen e plotë të partnerëve socialë në procesin e vendimmarrjes dhe politikat zhvillimore të vendit.

Kryeministri Rama vlerësoi rolin e KSSH-së si sindikata më e organizuar dhe më solide në Shqipëri, duke theksuar kontributin e saj të vazhdueshëm në jetën socio-ekonomike të vendit, në kontraktimin kolektiv, në promovimin e dialogut social dhe në funksionimin e këshillave trepalëshe vendore.
Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet qeverisë shqiptare, sindikatave vendase dhe atyre Evropiane.

Share