Znj.Anisa Qose, Sekretare e Përgjithshme e Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Bujqësisë, Ushqimit, Pylltarisë, Peshkimit dhe Ambientit të Shqipërisë, dhe Z.Koldian Islami, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, morën pjesë në webinarin mbi Zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Takimi trajtoi disa tema kyçe:
Veprimi për Klimën – Shqipëria ka miratuar Planin Kombëtar të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike, por kërkohen më shumë investime në energji të pastër dhe përmirësim i efiçencës energjetike.
Tranzicioni i Energjisë së Pastër – Rajoni mbetet ende i varur nga qymyri, ndërsa është thelbësore të rritet përdorimi i burimeve të rinovueshme dhe të garantohet një tranzicion i drejtë.
Ekonomia Qarkulluese – Ka nevoja për të reduktuar mbetjet, për të rritur riciklimin dhe për të promovuar prodhimin e qëndrueshëm. Shqipëria ka miratuar një “roadmap” drejt ekonomisë qarkulluese.
Parandalimi i Ndotjes – U evidentuan problemet me ajrin, ujin dhe tokën. Shqipëria ka miratuar ligje të reja për menaxhimin e ujërave, por nevojiten më shumë investime në ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura dhe në përmirësimin e rrjetit të monitorimit të cilësisë së ajrit.
Sistemet e Qëndrueshme Ushqimore & Zhvillimi Rural – Diskutimet u fokusuan tek sigurimi i standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore dhe bujqësinë e gjelbër, si dhe tek mbështetja për zonat rurale për të frenuar shpërnguljet dhe humbjen e biodiversitetit.
Biodiversiteti – Shqipëria po punon për ruajtjen e pyjeve dhe zonave të mbrojtura, por kërkohen më shumë fonde dhe veprime konkrete për zbatimin e strategjive të BE-së.
Përfaqësuesit e KSSH-së në këtë takim theksuan se çdo tranzicion duhet të jetë i drejtë, që të mbrojë punonjësit dhe të sigurojë kushte të denja pune në sektorët që do të preken nga transformimi i gjelbër.


