INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Qëndrimi i KSSH-së, mbi aksidentin e rëndë në vendin e punës në zonën Perlat–Shebe, Mirditë.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh shqetësimin më të thellë dhe indinjatën e saj të plotë për aksidentin e rëndë të ndodhur sot, më 7 nëntor 2025, në zonën Perlat–Shebe të Mirditës, ku një punëtor ( Ardian Gjergji i lindur ne vitin 1987) është plagosur rëndë gjatë procesit të shpimit në një nga pikat minerare ku operon kompania turke “Tete Albania Tunnel&Mining”.
Sipas informacioneve të ardhura nga terreni, aksidenti ka ndodhur në kushte pune të pasigurta dhe në një zonë ku kjo kompani po ushtron aktivitet minerar në mënyrë të paligjshme, megjithëse leja e saj minerare ndodhet në proces revokimi nga Ministria e Industrisë dhe Energjetikës.
Ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga institucionet shtetërore, ndërkohë që punëtori i plagosur ndodhet në gjendje të rëndë në një spital në Tiranë.      Ai pavarësisht transportit me ambulacë nga urgjenca nuk ka pranuar të shtrohet në Spitalin publik të Mirditës.
KSSH e konsideron të papranueshme fshehjen e informacionit publik mbi ngjarje të tilla, që prekin drejtpërdrejt jetën, shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve shqiptarë.
Mungesa e transparencës nga Policia e Qarkut Lezhë dhe institucionet përgjegjëse për sigurinë në punë ngrenë dyshime serioze për përpjekje për të minimizuar apo mbuluar shkeljet flagrante të kompanisë në fjalë.
Papërgjegjshmëri institucionale dhe shkelje flagrante të ligjit.
Është tashmë e njohur se “Tete Albania Tunnel&Mining” ka pezulluar aktivitetin e saj në minierën e Spaçit për shkak të grevës së minatorëve, të cilët prej javësh kërkojnë kushte më të sigurta pune, dhe punë me dinjitet.
Kërkesa të menjëhershme
-Në emër të punëtorëve të Shqipërisë dhe në mbrojtje të dinjitetit të punës, KSSH kërkon:
-Hetim të menjëhershëm dhe të pavarur të rrethanave të aksidentit në Perlat–Shebe, me përfshirjen e Inspektoratit Shtetëror të Punës, Prokurorisë së Rrethit Lezhë dhe Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës.
-Transparencë të plotë publike mbi identitetin dhe gjendjen shëndetësore të punëtorit të plagosur, si dhe mbi statusin ligjor të aktivitetit që po zhvillohej në momentin e aksidentit.
-Ndërprerje të menjëhershme të çdo aktiviteti të kompanisë “Tete Albania Tunnel&Mining” në zonën Perlat–Shebe deri në sqarimin e plotë të ligjshmërisë së operimeve të saj.
-Rivlerësim të të gjitha lejeve minerare aktive në territorin e Mirditës, në funksion të garantimit të sigurisë në punë dhe mbrojtjes së mjedisit.
-Ndëshkim penal dhe administrativ për çdo subjekt apo zyrtar që ka lejuar, toleruar ose mbuluar veprimtari të paligjshme që kanë vënë në rrezik jetën e punëtorëve.
Në përfundim, KSSH rikujton se jeta e punëtorit është mbi çdo interes ekonomik, qoftë ky i një kompanie vendase apo të huaj. Çdo aksident në punë është dështim i sistemit të sigurisë, por edhe i institucioneve që kanë për detyrë të mbrojnë punëtorin.
Ne do të ndjekim nga afër aksidentin e puntorit Ardian Gjergji dhe do të kërkojmë përgjegjësi konkrete për çdo akt neglizhence apo abuzimi që ka sjellë këtë ngjarje të rëndë.
KSSH do të vazhdojë të qëndrojë në krah të punëtorëve të Mirditës dhe të gjithë Shqipërisë, duke kërkuar dinjitet, siguri dhe drejtësi sociale në çdo vend pune.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH).
Share