KSSH shpreh solidaritetin e plotë dhe të palëkundur me qytetarët autoktonë të Rrjollit, pronarë me të drejtë zakonore dhe trashëgimtarë të ligjshëm të pronave të tyre, të cilët po përballen me situata të papranueshme presioni, shantazhi dhe ndërhyrjesh të ashpra institucionale.
Ne dënojmë me forcë çdo akt dhune fizike apo psikologjike të ushtruar ndaj banorëve të zonës. Goditja me grushta dhe shkelma ndaj qytetarëve të Rrjollit është një akt i papranueshëm, vandal dhe banditesk, që cenon rëndë dinjitetin njerëzor dhe parimet themelore të shtetit të së drejtës.
Probleme të tilla nuk zgjidhen me brutalitet, por me drejtësi, dialog dhe institucione legjitime që respektojnë të drejtat e patjetërsueshme të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
KSSH i bën thirrje organeve shtetërore dhe në mënyrë të veçantë Policia e Shtetit që të tregojë përmbajtje, proporcionalitet dhe profesionalizëm në ushtrimin e detyrës, duke shmangur çdo përdorim të panevojshëm apo disproporcional të forcës. Toleranca dhe respekti për komunitetin duhet të jenë parime udhëheqëse në çdo veprim institucional.
Njëkohësisht, kërkojmë transparencë të plotë nga Qeveria lidhur me proceset e njohjes dhe kthimit të pronave në zonën e Rrjollit. Çdo vendimmarrje e strukturave shtetërore duhet të jetë e bazuar në ligj, e arsyetuar dhe e mbrojtur nga çdo ndikim i paligjshëm apo favorizim i interesave oligarkike financiare që mund të deformojnë drejtësinë dhe barazinë përpara ligjit.
I bëjmë thirrje SPAK të verifikojë me prioritet çdo dyshim për falsifikime pronësore, abuzime me dokumentacionin dhe vendimmarrje të kundërligjshme nga struktura shtetërore apo individë të lidhur me interesa të caktuara ekonomike.
Hetimi i paanshëm dhe profesional është rruga e vetme për të rikthyer besimin e qytetarëve tek drejtësia.
Gjithashtu, i drejtohemi Bashkimi Europian dhe institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë sundimin e ligjit në Shqipëri, duke kërkuar vëmendje dhe ndjekje të situatës, pasi në traditën dhe standardet evropiane prona është e shenjtë dhe e mbrojtur me ligj.
KSSH u bën thirrje shoqërisë civile, organizatave të pronarëve dhe intelektualëve progresistë të vendit të solidarizohen me pronarët e vjetër trashëgimtarë sipas të drejtave zakonore, duke mbrojtur parimin e drejtësisë, të pronës private dhe të dinjitetit njerëzor.
Shteti i së drejtës ndërtohet mbi ligjin, transparencën dhe respektin për qytetarin – jo mbi forcën, presionin apo frikën.
KSSH do të qëndrojë në krah të qytetarëve të Rrjollit deri në zgjidhjen e drejtë, ligjore dhe transparente të kësaj çështjeje.


