INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Pronuncim i KSSH në lidhje me situatën e krijuar në marrëdhëniet e punës në kompaninë “Kurum International” sha Elbasan

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë në përmbushje të misionit të saj, statutit dhe legjislacionit të punës në fuqi kombëtar e ndërkombëtar të ratifikuar nga shteti ynë po e ndjek me vëmendje dhe nga afër situatën e krijuar këto ditë në lidhje me marrëdhëniet e punës në kompaninë “Kurum International” sha. Në lidhje me njoftimet publike për ndërprerje të kontratës të punës për 500 punonjës shpjegojmë se kjo deri më sot nuk ka ndodhur. KSSH denoncon tentativat e punëdhënësit për të biseduar me drejtues apo grupime punonjësish pa legjitimitetin e duhur ligjor dhe pa përfaqësimin ligjor në strukturat sindikale, vendore apo kombëtare. KSSH informon publikun dhe të gjithë punëmarrësit e kompanisë “Kurum International” sha se ashtu si në vitet 2002, 2008, 2016 apo dhe në 2021 KSSH do të jetë në anën dhe në përfaqësimin dinjitoz e avokatinë profesionale të tyre.
Aktualisht që në fillim të muajt gusht, kjo kompani ka kaluar në remond fabrikën e qelikut dhe këto ditë është pezulluar pjesërisht fabrika e petëzimit kjo në mënyrë të beftë dhe të paplanifikuar. Me dakordësi mes palëve punëmarrësit po konsumojnë pushimet vjetore deri në fund të këtij muaji. KSSH po konsultohet nga afër me strukturat shtetërore dhe po përgatit kapacitetet e saj ligjore dhe profesionale për t’u përballuar me çdo të papritur të cilat mesa duket janë të paevitueshme, si “pushim kolektiv nga puna”, apo lëvizje të menjëhershme të punëdhënësit në drejtim të QKB-së apo gjykatës për të ndryshuar regjimin aktiv apo për të kaluar në faliment në mënyrë të qëllimshme.
KSSH mendon dhe është e bindur se “lepuri” fle diku tjetër. Së pari kompania “Kurum International” sha është e paorganizuar, pastrukturuar dhe e paaftë të përballojë konjukturën botërore të çmimit të hekurit dhe të mbetjeve e skorieve të tij ku Kina po ndikon shumë në uljen e çmimit. Investimet e kryera në vijimësi e veçanërisht ato të fabrikës së petëzimit kanë qënë të pasuksesshme dhe ndoshta të fryera qëllimisht për përfitime të padrejta. Së dyti kompania “Kurum International” sha duhet ta kuptoj se ka ardhur koha që nuk mund të manipulohet më tej me të drejtat e punëtorëve apo lirinë ekonomike në vendin tonë. Kjo kompani duhet të përgatitet për të përballuar suksesin dhe reformimin e shoqërisë tonë në sistemin e drejtësisë dhe të mirëqeverisjes në kuadër të hapjes së vendit tonë dhe standartizimit europian të tij në çdo fushë.
Për 25 vite kjo kompani si shumë biznese apo punëdhënës të tjerë kanë qënë të privilegjuarit e çdo qeverie. Qeveritë syleshe të viteve 2002 që falen fabrikat e oksigjenit dhe të gëlqeres, të 2007 që miratuan kryerjen e dyshimtë të investimeve për kapacitet prodhues 550.000 ton/në vit apo në vitin 2010, 700.00 ton/në vit. Kthimin për kusur të TVSH-së në vitin 2012 të 4 hidrocentraleve si “privatizim strategjik”. Pa harruar këtu dhe kontratën e konçensionit ROT të vitit 2013 për rafinerinë e Cërrikut etj. Këto tregojnë qartë tangjentën dhe influencat politike të qeverive shqiptare në vijimësi duke e vlerësuar këtë kompani si të përkëdhelur dhe të favorizuar.

Share