Me datë 25.11.2025 u zhvillua online takimi i parë i Taskforcës së EFFAT për Politikat e Përbashkëta Bujqësore (CAP) dhe Kornizën Shumëvjeçare Financiare të BE-së (MFF), një proces thelbësor për formësimin e strategjisë sindikale europiane për periudhën 2028–2034.
Në këtë takim mori pjesë edhe Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Bujqësisë, Ushqimit, Pylltarisë, Peshkimit dhe Ambientit të Shqipërisë (FSPBUPPASH), Znj.Anisa Qose, e cila kontribuoi në diskutimet mbi sfidat aktuale me të cilat përballen punonjësit e sektorëve bujqësorë dhe agro-ushqimorë, si dhe domosdoshmërinë për të mbrojtur integritetin e Kushtëzimit Social në CAP.
Temat kryesore të takimit përfshinë:
-Analizën e buxhetit të ri të BE-së 2028–2034 dhe ndikimit të tij në mbrojtjen sociale dhe të drejtat e punëtorëve;
-Rrezikun e dobësimit të Kushtëzimit Social, veçanërisht propozimin për të përjashtuar fermat nën 10 ha nga kontrollet dhe penalitetet;
-Ndikimin e “mega-fondit” të ri të BE-së dhe konkurrencën e rritur mes fondeve të zhvillimit rural dhe fondeve sociale;
-Shkallën e reduktimit të financimit për CAP dhe implikimet për punëtorët e sektorit;
-Strategjinë sindikale për forcimin e elementëve socialë në CAP dhe propozimet për amendamente konkrete në procesin e bashkë-legjislacionit.


