Drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, në emër të qindra mijëra punonjësve shqiptarë, i drejtohet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, si institucioni përgjegjës për politikat buxhetore dhe fiskale, për të kërkuar me vendosmëri dhe urgjencë pagesën e Pagës së 13-të, në formën e shpërblimit vjetor, në prag të festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.
Kjo kërkesë nuk është privilegj, nuk është favor dhe as kërkesë e tepruar. Ajo është domosdoshmëri ekonomike dhe sociale, e diktuar nga realiteti i vështirë me të cilin përballen sot punëtorët dhe familjet shqiptare.
NEVOJA EKONOMIKE – FESTAT NUK DUHET TË JENË BARRË.
Punëtorët shqiptarë po përballen prej vitesh me:
rritje të vazhdueshme të çmimeve të ushqimeve bazë,
inflacion të lartë dhe të pakontrolluar,
rritje të kostos së energjisë, qirave, shërbimeve shëndetësore dhe arsimore dhe paga që nuk ndjekin ritmin e rritjes së jetesës.
Në këto kushte, festat e fundvitit për shumë familje shqiptare janë kthyer nga gëzim në ankth ekonomik. Prindërit punonjës nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet minimale për ushqim, ngrohje, veshje apo dhurata simbolike për fëmijët e tyre.
Paga e 13-të do të ishte një lehtësim real dhe konkret, që u jep mundësi punëtorëve të gëzojnë festat me dinjitet, siç ndodh kudo në botën e zhvilluar, dhe jo të përballen me borxhe, kredi apo sakrifica të rënda familjare.
NEVOJA SOCIALE – SHPËRBLIM DINJITETI PËR PUNËN DHE SAKRIFICËN.
Ky shpërblim ka një vlerë të thellë sociale. Ai përfaqëson:
-njohje të punës dhe sakrificës së përditshme,
-respekt institucional ndaj punëmarrësit,
-forcim të kohezionit social dhe dialogut mes shtetit dhe punonjësve.
Veçanërisht për punonjësit e arsimit, shëndetësisë, administratës publike, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, Policisë së Burgjeve, Gardës së Republikës, zjarrfikësve, si dhe punonjësit e kompanive publike (ujësjellës, OSHEE, OST, KESH, Albpetrol etj.), paga e 13-të është një shpërblim dinjiteti, për ata që garantojnë shërbime jetike, rend, siguri dhe funksionimin e shtetit.
KORRIGJIM I PABARAZIVE TË THELLA TË PAGAVE
Shqipëria sot karakterizohet nga diferenca të mëdha dhe të padrejta mes pagave të larta dhe pagave të ulëta. Ndërkohë që një pjesë e vogël përfiton paga dhe privilegje shumë të larta, shumica e punonjësve jetojnë me paga që mezi mbulojnë jetesën.
Paga e 13-të përbën edhe një instrument korrektues social, një formë axhustimi që ndihmon shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke ulur pabarazinë dhe duke rritur drejtësinë sociale.
EFEKTI EKONOMIK – INVESTIM, JO KOSTO.
Pagesa e Pagës së 13-të:
rrit konsumin e brendshëm,
mbështet bizneset lokale,
gjallëron ekonominë në periudhën e fundvitit,
kthehet në të ardhura fiskale për shtetin.
Prandaj, kjo masë nuk është barrë për buxhetin, por investim në ekonomi, stabilitet social dhe mirëqenie.
THIRRJE PËR VEPRIM.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i bën thirrje Kryeministrit dhe Ministrisë së Financave që:
Të reflektojnë urgjentisht mbi këtë kërkesë legjitime.
Të sigurojnë fondet e nevojshme për pagesën e Pagës së 13-të.
Ta institucionalizojnë këtë shpërblim si praktikë të përvitshme.
Të tregojnë se shteti shqiptar vendos punëtorin dhe familjen në qendër të politikave publike.
Nëse kjo kërkesë injorohet, KSSH rezervon të drejtën për të ndërmarrë të gjitha format demokratike të reagimit sindikal, në mbrojtje të interesave të punëtorëve shqiptarë!
Punëtorët shqiptarë meritojnë dinjitet, jo premtime!
Festat duhet të jenë gëzim, jo barrë ekonomike!
Paga e 13-të është domosdoshmëri, jo luks!
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë


