Të dashur minatorë të Spaçit!
Nesër ju hyni në një betejë të drejtë, të ligjshme dhe të ndershme, një grevë pa afat për dinjitetin, sigurinë dhe jetën tuaj.
Kjo nuk është thjesht një protestë për paga apo kushte pune; është një thirrje për respekt, për drejtësi dhe për dinjitet njerëzor.
Ju jeni bijtë e tokës, ata që nxirrni pasuritë nga nëntoka, por që shpesh trajtoheni padrejtësisht në dritën e diellit.
Sot ju po tregoni se asnjë padrejtësi nuk mund të vazhdojë pafundësisht, se punëtori shqiptar ka zë, ka forcë dhe mbi të gjitha ka sindikatën e tij.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, KSSH është plotësisht me ju.
Ne jemi pranë jush, në çdo ditë të grevës, në çdo hap të kësaj përpjekjeje.
Ne do të mbrojmë të drejtën tuaj për grevë, për organizim kolektiv, dhe për jetë me siguri e dinjitet.
Kjo është e drejtë kushtetuese, është e mbrojtur nga ligjet shqiptare dhe nga konventat ndërkombëtare të punës.
Askush nuk ka të drejtë t’ju kërcënojë apo t’ju ndëshkojë për pjesëmarrje në një grevë të ligjshme.
Minatorë, forca juaj është bashkimi.
Mos lejoni askënd t’ju ndajë, të përçajë apo t’ju mashtrojë.
Sot nuk po flisni vetëm për veten tuaj, por për çdo punëtor të këtij vendi që kërkon të jetojë me punën e vet dhe të kthehet i gjallë në shtëpi.
Kauza juaj është kauza e të gjithë punëtorëve shqiptarë.
Ju nuk jeni vetëm! Pas jush qëndron gjithë lëvizja sindikale, gjithë KSSH-ja, dhe çdo njeri që beson se puna meriton respekt, jo përçmim.
Rroftë bashkimi i punëtorëve!
Rroftë dinjiteti i minatorëve të Spaçit!
Rroftë solidariteti sindikal!
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH)
Tiranë, 12 Tetor 2025.


