INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Mbledhje e Presidencës Ekzekutive të KSSH-së.

Sot u zhvillua mbledhja e radhës e Presidencës Ekzekutive të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), e cila u përqendrua në:
1- Analizën e gjithanshme të punës vjetore,
2- Vlerësimin e aktivitetit sindikal në të gjitha nivelet, (federata, qarqe, etj.)
3- Përcaktimin e objektivave strategjikë për vitin 2026.
Në fokus të diskutimeve ishte analiza e aktivitetit sindikal të federatave sindikale, qarqeve dhe rretheve, ku u evidentua puna e qëndrueshme dhe me rezultate konkrete e sindikatave në sektorë kyç të ekonomisë dhe shërbimeve publike. U vlerësua veçanërisht puna e mirë e sindikatave të industrisë, transportit, tekstilit dhe artizanatit, administratës publike, shëndetësisë, energjetikës, si dhe e sindikatave të tregtisë, bujqësisë dhe agrobiznesit.
Presidenca Ekzekutive vlerësoi pozitivisht aktivitetet me të rinjtë dhe gratë sindikaliste, duke i konsideruar ato si një prioritet strategjik për forcimin e lëvizjes sindikale, rritjen e përfaqësimit dhe garantimin e vazhdimësisë së saj në të ardhmen.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua grevës së minatorëve të Spaçit, si një shembull i qëndresës sindikale dhe i mbrojtjes së të drejtave themelore të punëtorëve. U vlerësua lart aktiviteti i mbrojtjes ligjore dhe përfaqësimit në gjykata, veçanërisht në çështje të rëndësishme si ato të punonjësve të ujësjellësit të Vlorës, punonjësve të porteve dhe aeroporteve, minatorëve, punonjësve të energjetikës, tregtarëve, si dhe punonjësve të bujqësisë dhe agrobiznesit. Këto ndërhyrje ligjore u konsideruan si prova konkrete e rolit të pazëvendësueshëm të sindikatave në mbrojtjen e interesave të punëmarrësve.
Në vijim, Presidenca Ekzekutive:
– Miratoi aktivitetin vjetor financiar të KSSH-Së, si dhe bilancin ekonomiko-financiar të vitit 2025, duke konstatuar menaxhim të përgjegjshëm dhe transparent të burimeve financiare.
– U përcaktuan objektivat kryesore për vitin 2026, të orientuara drejt forcimit të organizimit sindikal, rritjes së anëtarësisë, intensifikimit të dialogut social dhe zgjerimit të mbrojtjes ligjore e kontraktuale për punëmarrësit.
U diskutua gjerësisht edhe puna edukative dhe trajnuese e Qendrës së Trajnimit dhe Studimeve Sindikale të Shqipërisë (QTSSSH) të KSSH, e cila u vlerësua si një instrument i rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve sindikale, formimin e drejtuesve dhe aktivistëve sindikalë, si dhe për edukimin e punëmarrësve mbi të drejtat e tyre në punë.
Presidenca Ekzekutive vlerësoi gjithashtu lidhjet e mira ndërkombëtare të KSSH-së dhe federatave sindikale, kontributin e tyre në nivel rajonal dhe europian, si dhe rolin aktiv të KSSH-Së në organizata ndërkombëtare si ITUC dhe ETUC. U theksua rëndësia e këtyre marrëdhënieve për shkëmbimin e përvojave, solidaritetin ndërkombëtar dhe forcimin e zërit të sindikatave shqiptare në arenën europiane.
Me një qëndrim kritik dhe konstruktiv, Presidenca Ekzekutive diskutoi mungesën e vullnetit të qeverisë për dialog social me sindikatat, mosfunksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës dhe mos përfshirjen e sindikatave në proceset integruese të Bashkimit Europian. U denoncua korrupsioni dhe trafiku i influencave politike, duke bërë thirrje për thyerjen e frikës dhe kundërshtimin kolektiv të keqqeverisjes dhe moszbatimit të ligjit.
Gjithashtu, u kritikua puna e dobët e inspektoriateve, në veçanti e Inspektoratit të Punës, sidomos në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Presidenca vlerësoi nivelin aktual të kontraktimit kolektiv dhe kërkoi me forcë zbatimin e kontratave kolektive në të gjitha nivelet, si dhe koordinimin e aktiviteteve kombëtare sindikale, protestave dhe tubimeve publike, përfshirë aktivitetet për 1 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Në përfundim, Presidenca Ekzekutive vendosi që ky vit të shpallet vit jubilar i 35-vjetorit të themelimit të KSSH-së, një jubile që do të shënohet me aktivitete të shumta gjatë gjithë vitit.
Ky përvjetor e gjen KSSH-në më të fortë, më të konsoliduar dhe me një shtëpi të re. Në kuadër të 35-vjetorit të themelimit, do të inaugurohet edhe selia e re e KSSH, si simbol i qëndrueshmërisë, unitetit dhe perspektivës së lëvizjes sindikale shqiptare.
Presidenca Ekzekutive riafirmoi angazhimin e saj për të mbrojtur të drejtat e punëmarrësve, për të forcuar solidaritetin sindikal dhe për të qenë një zë i fortë dhe i pavarur në shërbim të punëtorëve dhe shoqërisë shqiptare.
Share