INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

KSSH mbështet protestën dhe kërkesat e motoristëve të platformës “Wolt” për kushte më të drejta pune.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh mbështetjen e saj për protestën dhe kërkesat legjitime të punonjësve motoristë që kryejnë shpërndarjen e ushqimit përmes platformës “Wolt”.
Këta punonjës përballen çdo ditë me vështirësi të shumta në punën e tyre, duke përshkuar distanca të gjata në kushte shpesh të vështira pune, ndërsa mbajnë një rol thelbësor në funksionimin e shërbimeve të shpërndarjes dhe në ekonominë e shërbimeve në vend.
KSSH vlerëson se kërkesat e motoristëve për rishikimin e pagesës për kilometër, kompensimin për dorëzimet në katet e larta të ndërtesave, si dhe pagesën shtesë në rastet e porosive me dorëzim të përshpejtuar, janë të drejta dhe duhet të trajtohen me seriozitet nga kompania.
Po ashtu, është e rëndësishme që të ketë transparencë të plotë në mënyrën se si funksionon aplikacioni dhe si llogariten pagesat për punonjësit.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë thekson se zhvillimi i ekonomisë së platformave nuk mund të bëhet në kurriz të të drejtave dhe dinjitetit të punonjësve.
Çdo kompani që operon në këtë sektor duhet të garantojë kushte të drejta pune, pagesë të ndershme dhe trajtim të barabartë për të gjithë punonjësit.
KSSH i bën thirrje kompanisë që të hapë një dialog konstruktiv me përfaqësuesit e motoristëve për të gjetur zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të ndjekin nga afër situatën për të siguruar respektimin e standardeve të punës dhe mbrojtjen e të drejtave të punonjësve.
Burimi i fotos: Citizens.al (foto e marrë nga artikulli “Offline në shenjë proteste: Motoristët e Wolt kërkojnë kushte të mira pune”, 9 mars 2026).
Share