INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

KSSH mbështet dhe solidarizohet me minatorët e Minierës së Kromit në Bulqizë!

KSSH deklaron se:
Kërkesat e minatorëve të Minierës Kromit Bulqizë janë të ligjshme, themelore dhe tërësisht të realizueshme. Ringritja e zërit dhe artikulimi i kërkesave të minatorëve të Bulqizës është një lajm i mirë dhe një shpresë për një rilindje, një riformatim dhe një rivlersim real i lëvizjes sindikale në minierën e Bulqizës.

KSSH ashtu siç ka qenë historikisht në mbrojtje dhe përfaqësim të minatorëve dhe gjithë punëmarrësve shqiptarë, do jetë zëdhënësja e minatorëve dhe mbështetësja e tyre pa kompromis në mbrojtje të kauzës së tyre të drejtë!

KSSH po kontakton me strukturat shtetërore që mbulojnë çështjet e punësimit, me Zyrën Kombëtare të Pajtimit dhe Ndërmjetësimit, si dhe me organizma të tjerë shtetëror ligj-zbatues dhe po kërkon zbatimin e kontratave të punës, rritjen prej 10% të pagës sipas dakordësisë së përfaqësuesve të punëtorëve me punëdhënësin “Yldyrim Hollding” shpk, indeksimin e pagave sipas inflacionit vjetor çdo vit sipas ligjit dhe përmirësimin e kushteve të punës, të sigurisë në punë dhe rirregullimit të normimit e orarit të punës duke gëzuar pushimet javore ditën e shtunë dhe të dielë dhe pushimet vjetore sipas Kontratave të Punës dhe Kodit të Punës në fuqi.

KSSH kërkon nga punëdhënësi “Yldyrim Hollding”, kompani Turke që të ndalojë ndërhyrjet, presionet dhe shantazhimin ndaj minatorëve dhe lirisë së tyre për t’u organizuar dhe zgjedhur lirisht përfaqësuesit e tyre sindikal, në respektim të plotë të legjislacionit kombëtar e atij ndërkombëtar të punës.

KSSH shpreh gjithë gatishmërinë e saj për të asistuar profesionalisht dhe ligjërisht Minatorët në drejtim të realizimit të kërkesave të tyre ligjore dhe të drejta. Kërkon nga ata të vetëorganizohen, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre me votëbesim moral, me integritet personal dhe në mënyrën demokratike më të mundshme.

KSSH garanton mbrojtjen e tyre ligjore dhe përfaqësimin e tyre ligjor, profesional e me besnikëri absolute.

Share