INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Këshilli Kombëtar i Punës, mbledhja e parë për 2026.

Sot u zhvillua mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar të Punës (KKP) për vitin 2026, e cila njëkohësisht shënon edhe mbledhjen e parë të Këshillit të rikonstituar me mandatin e ri. Mbledhja u drejtua nga Kryetarja e KKP-së Ministrja e Ekonomise dhe Inovacionit Znj.Delina Ibrahimaj.
Takimi u zhvillua në frymën e dialogut social dhe bashkëpunimit institucional.
Gjatë fjalës hapëse u theksua se dialogu social përbën bazën mbi të cilën ndërtohen reformat e qëndrueshme të tregut të punës. Në këtë kuadër, u riafirmua angazhimi për përafrimin e legjislacionit të punës me direktivat e Bashkimit Europian, modernizimin e politikave aktive të punësimit, digjitalizimin e shërbimeve të punësimit, si dhe forcimin e Garancisë Rinore si instrument kyç për integrimin e të rinjve në tregun e punës.
U nënvizua se Këshilli Kombëtar i Punës synon të funksionojë si një hapësirë reale dhe funksionale bashkëpunimi mes qeverisë, organizatave të punëdhënësve dhe përfaqësuesve të punëmarrësve, me qëllim hartimin e politikave publike të bazuara në dialog, të dhëna konkrete dhe interesin e përbashkët publik.
Gjatë diskutimeve, Presidenti i KSSH-së, theksoi nevojën dhe domosdoshmërinë e funksionimit normal dhe efektiv të dialogut social, si dhe të rolit të KKP-së dhe strukturave të tjera të dialogut tripalësh. Ai ngriti shqetësime lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së disa organizatave sindikale në përbërjen e KKP-së, duke theksuar se disa prej tyre nuk plotësojnë kriteret ligjore dhe nivelin e përfaqësueshmërisë së kërkuar.
Në këtë kontekst, u theksua nevoja për ripërtëritjen e lëvizjes sindikale dhe garantimin e një përfaqësimi dinjitoz dhe real të punëmarrësve.
U nënvizua se disa organizata sindikale aktuale kanë mungesë të kapaciteteve profesionale, demokracisë së brendshme përfaqësuese dhe përfaqësojnë kryesisht kategori jo aktive në tregun e punës, çka cenon efektivitetin e dialogut dhe partneritetit social.
Në përfundim, u ritheksua rëndësia e forcimit të rolit të Këshillit Kombëtar të Punës si një mekanizëm kyç për ndërtimin e politikave të punës dhe mbrojtjes sociale, si dhe domosdoshmëria e angazhimit serioz dhe përfaqësues të të gjitha palëve për një dialog social funksional, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.
Share